Home \ ZGJODHËM PËR JU \ A duhet të festohet Viti i Ri sipas BIK-ut dhe imamëve të Podujevës?

A duhet të festohet Viti i Ri sipas BIK-ut dhe imamëve të Podujevës?

Lidhur me festimin e festës së Vitit të Ri, Bashkësia Islame e Kosovës, dega në Podujevë, dhe dy imamët e Poujevës, Imri Llugaliu dhe Idriz Bilalli, kanë dhënë mendime të ndryshime, njofton Llapi.info. Derisa kryetari i BIK-ut në Podujevë, Bekim Jashari, ka thënë se gjithçka që lejohet gjatë vitit, lejohet edhe në fund të vitit, Imami i Xhamisë së Vjetër në Podujevë, Imri Llugaliu, ka thënë se festa e Vitit të Ri nuk është festë e muslimanëve dhe s’kemi pse t’i festojmë festat e të tjerëve. Ndërsa, Imami i xhamisë “Met Podujeva”, Idriz Bilalli, ka thënë se nuk mund të themi që është haram, sepse harami është diçka e ndaluar rreptësisht.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, ka thënë për Llapi.info se në Kur’an nuk ka asnjë argument që e ndalon festimin e Vitit të Ri.

“Nuk kemi asnjë argument nga Kur’ani që e ndalon një gjë të tillë. Kemi vetëm mendime të disa të ashtuquajturëve përfaqësues të Islamit që po duan të bëjnë emër. Të thuash diçka haram me mendimin tëndë duke mos pasur për bazë asnjë ajet Kuranor apo thënie profetike është ahmaki”, ka thënë Bekim Jashari.

Ai ka shtuar se gjithçka që lejohet gjatë vitit, lejohet edhe në fund të vitit dhe se nuk ka njeri, qoftë edhe hoxhë që ka të drejtë të përzihet në çështjet e qytetarëve.

“Çdo ndjenjë që shoqërohet me alkool është e ndaluar, kurse çdo ndenjë që ka shpenzime të tepërta është e qortuar. Njeriu e ka të drejtën e përzgjedhjes dhe veprimit të tij në familje ashtu si ai dëshiron. Nuk ka njeri, qoftë edhe hoxhë që ka të drejtë të përzihet në çështje të qytetarëve”, ka shtuar Jashari.

Se nuk ka ndonjë ajet në Kur’an ka thënë edhe Imami i Xhamisë së Vjetër në Podujevë, Imri Llugaliu. Por, sipas tij, jo gjithçka është e përfshirë në Kur’an dhe nuk kemi nevojë të i festojmë festat e të tjerëve.

“Çka me festue, me festu Lindjen e Krishtit që është festë krishtere..Nuk kemi nevojë dhe as nuk duhet me i festu festat e feve tjera. Festat sipas islamit janë të përcaktuara. Ne sipas Kur’anit dhe synetit i kemi festat tona, e kemi Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin. Pasi festa e Vitit të Ri nuk është festë islame, ne nuk duhet ta festojmë, sepse asnjë besimtarë i feve tjera nuk po na i feston festat tona, pse me i festu na festat e tyne”, ka thënë Imri Llugaliu për Llapi.info.

“Nuk përfshihet çdo gjë në Kur’an. As droga, as duhani as shumë gjëra nuk përmenden në Kur’an. Është një hadith që transmeton Davudi, se kush i përngjanë një populli është prej tyre, thotë Muhamedi a.s . Është çështja në bindje dhe në tradita fetare. Ne nuk guzojmë më i përngja popujve tjerë as në tradita as në besime”, ka shtuar Llugaliu.

Ai ka thënë se ndalesa dhe urdhërsa është ekskluzivitet i Zotit dhe se prijësit fetar nuk guxojnë me ja ba haram ose hallall, sepse mes haramit dhe hallallit ka dispozita tjera.

Llugaliu ka përmendur faktin se elementet e festës së Vitit të Ri nuk janë elemente të fesë islame.

“Babadimri është importuar nga grekët e vjetër dhe bredhi nga paganizimi. Nuk kanë të bëjnë aspak me fenë islame. Do ta kenë përgjegjesinë ata prindër që fusin bredha dhe elemente tjera të feve të tjera në shtëpi, sepse e fusin ndjenjën tek fëmijët e tyre që edhe ata të fusin këto elemente në shtëpi dikur”, ka thënë Llugaliu.

Ndërsa, Imami i xhamisë “Met Podjeva”, Idriz Bilalli, ka thënë se Viti i Ri nuk ka të bëjë me vlera fetare dhe është një e drejtë e individëve për të festuar edhe nëse ata janë muslimanë.

“Nuk mund të them që është haram nëse sante në familjet tona nuk përdoret alkooli, sepse për me than diçka haram është e ndaluar rreptsisht dhe në Kur’an nuk kemi diçka që e ndalon”, ka thënë Bilalli për Llapi.info, duke e konsideruar festën e Vitit të Ri se një përmbyllje e vitit kalendarik.

“Nuk e mendoj se ka diçka të keqe, sepse dikush mund të ketë arritur ndonjë sukses gjatë vitit dhe ka arsye për me e festue. Ne e kemi vitin e ri të muslimanëve dhe e festojmë. Vitin e Ri e kanë edhe kinezët. Mirëpo, në këtë pjesë të globit neve po na imponohet”, ka shtuar Bilalli.

Ai ka thënë se nuk ka gjë të keqe nëse një familje sante shikon televizor dhe blen diçka.

Sipas tij, fëmijëve duhet me u ble diçka, pasi edhe të tjerët blejnë./Llapi.info