Home Uncategorized IFTARI I FUNDIT

IFTARI I FUNDIT

I ulur në sofrën e lutjeve, pavarësisht agjërimit isha i ngopur nga çdo gjë, përveç lutjes për Të. I mbërthyer nga pikëllimi për Të dhe i përvëluar nga ndarja, krejt ishin të pranishëm, sërish çdo gjë më mungonte. I mërzitur për të parë fytyrën e Tij, lotët rridhnin nga sytë pa parë asgjë, por të mbushur me mall për Të. Jeta e kishte humbur kuptimin nga mungesa e Tij dhe përveç përmendjes së Zotit, çdo gjë tjetër ishte zbehur. Zemra që e mësoi kuptimin e dashurisë prej Tij, tani mbeti peng i saj në kujtimet e mia. Duke bërë përpjekje që veten ta forcoj pa Të, e ndiej plogështinë që me venitje më dobëson. I pikëlluar në çastet e pritjes së ezanit, në lutjet e mia vetëm emri i Tij zinte vend duke e harruar veten. Isha bërë si i derdhur në gotën e ujit, ku gota edhe pse e mban ujin, sërish nuk e ndien shijen e tij. I lodhur nga humbja e shpresës që do ta takoj më, mendja vetëm aty e kishte bërë folenë. Nuk e kisha ditur që aq shumë do të më mungoj, tani mosprezenca e Tij gjithnjë e më prezent është në mendimet e mia. Ai brumi i ndjenjave të zemrës që dikur ishte gatuar nga dora e Tij, sot pushon me të njëjtin ritëm, por vetëm larg takimit. Fjala që zgjoi shumë zemra të meditojnë, zhurmoi nga heshtja e zemrës e mbështjellë me sinqeritetin e qëllimit. I molisur nga ndjenja që takimi me Të më nuk do të ekzistoj, ekzistimi im në këtë tokë e humbi kënaqësinë e kësaj bote. Pasi ky ishte iftari im i parë pa Të dhe i fundit i Tij me mua vitin që shkoi. I rëndë është momenti kur iftarin duhet ta bësh në shoqërinë e lotit duke qenë i etur nga shikimi i Tij. Duhet të gjesh vullnetin për të përballur sprovën duke jetuar në krahët e shpresës nëpërmjet lutjeve ndaj Zotit. E lutjet vazhdojnë të shqiptohen nga gjuha e njomur për fjalë, por me vendin e Tij të zbrazët në sofër. Duke tentuar ta gjejë shikimin përmes syrit, të gjithë më mungojnë vetëm Ai më del para sysh. Krejt janë të pranishëm, ndërsa në zemrën time ka mbetur bosh vetëm vendi i Tij. Ky iftari i parë ku shpresoj se do të ngopem duke lotuar dhe aspak ushqimin duke mos e shijuar. Dashuria që në këtë muaj ishte ngjallur për ne, tani po gufon nga malli duke mos e pasur për t’ia shprehur. I lodhur nga kujtimi, por duke mos e hequr aspak nga mendja, zemra lundron në detin e dashurisë që bashkërisht e kishim ndërtuar. Por loti, që rrëshqiste ngandonjëherë nga pakujdesia, për momentin pikon i pastër duke i kujtuar ditët tona. Lutjet në iftar vetëm emrin e Tij e kanë zënë në gjuhë dhe duke e shijuar ëmbëlsinë e tyre po e privojnë ushqimin t’u afrohet. Ndarjen e kemi afër siç i kemi rrobat ngjitur për trupin tonë, por të shkujdesur nga befasia e sprovës arrijmë të shohim realitetin vetëm kur goditemi. Duke e shikuar dheun, e ndiejmë krijimin, ndërsa në çastin e iftarit e harrojmë qëllimin duke u përqendruar në mungesën e Atij që e duam. Iftari i parë pa dashurinë e fundit dhe të vetme që më dhuroi dhe me të cilën më shprehi edhe lamtumirën e ndarjes. U ndamë për të mos u takuar më dhe për ta bërë iftarin i vetëm. I bindur se kënaqësia u shua me largimin e Tij dhe freskia e vetme që më forcon në këtë muaj është lutja drejtuar Zotit për Të. Koha që na i ndau trupat, po m’i afron fjalët për t’i thurur lutje atje ku është. Për t’ia dhënë ndjenjat që vitet i mbajtën në kujtimet e tyre dhe për ta hapur zemrën që largimi i Tij ia vuri drynin. Zemra që pa pushim e kërkon, i bën ballë edhe etjes dhe urisë, por vështirë të qetësohet pa praninë e Tij. Në sprovën e jetës, jeta e merr një kafshatë mësim që do t’i nevojitet në këtë muaj për t’ia mbajtur zemrën gjallë. Tani që duke e pritur myezinin për t’ia filluar ushqimit, jam duke e ndier veten të ngopur vetëm me fjalët e Zotit që jam duke i shqiptuar për Të. Loti që sa vjen e bëhet më i pranishëm në sy, më turbullon dhe shikimin edhe pse e di se nuk e shoh. Ajo shpresë që së bashku me fjalët e Zotit i japin një ngushëllim zemrës, sërish i mungon forca për ta marrë veten. Po, ai iftari im i fundit ku shumë fjalë e morën dhenë dhe shumë lutje mbeten pa u thënë që koha i dërgoi në kujtimet e veta. Mbetën një thesar kujtimesh të cilat u ndërtuan nga përjetimet më të mira, ku kujtimi mbi to e nxjerr një oqean lotësh duke notuar në pikëllimin më të madh. Duke e ngushëlluar veten, po e vërej më të dobët për ta mundur mërzinë. Zemra duke i numëruar çastet e fundit para iftarit të parë, i mungon vullneti për ta mposhtur dobësinë. Koha që më mësoi si t’ia dijë vlerën asaj, akoma nuk po arrin të ma afrojë shërimin mbi sëmundjen time. Ky është një ilaç që as nuk shitet dhe as nuk blihet, pasi na ndanë një botë e tërë. E unë, duke e kujtuar iftarin e fundit, po ngrihem nga sofra i ngopur me lutjet dhe po e lë shijen që e kisha atëherë…

Blerim Muhaxheri