Home Uncategorized LEXIMI I KURANIT SHKAK I QËNDRESËS NË KOHË SPROVASH

LEXIMI I KURANIT SHKAK I QËNDRESËS NË KOHË SPROVASH

E falenderojmë Allahun e Madhëruar i Cili na kë bërë umet të Muhamedit (salallahu alejhi ve selem) të cilit ia ka shpallur Kuranin Famëlartë ku gjejmë udhëzim dhe qetësi shpirtërore. Paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin (salallahu alejhi ve selem) të cilin e dërgoi mëshirë për botrat dhe e bëri mësuesin më shembullor të njerëzimit, na tregoi çdo gjë që afron për në xhenet dhe na tregoi çdo gjë që largon nga xhehenemi.
Kurani është mrekullia më e madhe e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ve selem) dhe – elhamdu lilah – ai sot gjindet në duart e besimtarëve musliman ashtu siç i ka zbritur të dërguarit të Allahut pa kurrfarë ndryshimi. Është thesari më i madh i sevapeve, me plot udhëzime dhe që ta rahaton shpirtin. Në të gjejmë një fuqi e cila i jep elan shpirtit të njeriut dhe gjallëri në ndjenjat e tij.
Allahu i Madhëruar i ka thënë të dërguarit të Tij Muhamedit salallahu alejhi ve selem:

وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلَا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً ۚ كَذَٰلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ ۖ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلًا (32)

“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur’ani përnjëherë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të ta forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë). “ Furkan, 32

Zbritja e Kuranit dhe atë kohë pas kohe gradualisht, ka qenë shkak për tia përforcuar zemrën të dërguarit salallahu alejhi ve selem.

Poashtu në Kuranin Famëlartë Allahu i Madhëruar i ka përmendur tregimet e pejgamberëve më të dalluar gjë e cila gjithashtu ka qenë shkak për ti dhënë vullnet dhe entuziazëm pejgamberit të tij (salallahu alejhi ve selem).
Në suren Hud, Allahu i Madhëruar ka thënë:

وَكُلًّا نَّقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنبَاءِ الرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِ فُؤَادَكَ ۚ وَجَاءَكَ فِي هَٰذِهِ الْحَقُّ وَمَوْعِظَةٌ وَذِكْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ (120)

“Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët “ Hud, 120

Kjo begati e Kuranit është edhe për besimtarët musliman dhe duhet ta shfrytëzojnë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:

﴿ قُلْ نَزَّلَهُ رُوحُ الْقُدُسِ مِنْ رَبِّكَ بِالْحَقِّ لِيُثَبِّتَ الَّذِينَ آمَنُوا وَهُدًى وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِينَ ﴾ [النحل: 102]

“Thuaj: “Atë (Kur’anin) e solli “Ruhul Kudus” – shpirti i shenjtë – plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar edhe më ata që besuan, dhe për të qenë udhërrëfyes e myzhde për muslimanët” “Nahël, 102

Leximi i Kuranit ngërthen dobi të madha siç la thënë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem) në hadithin që e përcjell Ebu Hurejreja r.a. se i dërguari i Allahut (alejhi salatu ve selem) ka thënë:

«.. وما اجتمع قوم في بيت من بيوت الله يتلون كتاب الله ويتدارسونه بينهم إلا نزلت عليهم السكينة، وغشيتهم الرحمة، وحفتهم الملائكة، وذكرهم الله فيمن عنده».

“… dhe sa herë që tubohen një grup njerëzish në ndonjë shtëpi të Allahut dhe lexojnë Librin e Allahut, e studijojnë mes tyre, u zbresin atyre melaike, i kaplon mëshira dhe i rrethekojnë melaiket si dhe Allahu i përmendë te ata që janë pran Tij.“ Tra. Muslimi

Vehb ibn El-Verd ka thënë: Kemi shikuar në hadithet dhë vazet (këshillat) dhe nuk kemi gjetur gjë më suptile dhe ndikuese për zemrat dhe më shumë që ndikon në ndjenja se sa leximi i Kuranit, studimi dhe shkoqitje e tij.

Edhe ne sot, kur ballafoqohemi me sprova, sado që të jenë ato dhe si do që të jenë, duhet ta shtojmë bindjen në besimin ndaj Allahut Fuqiplotë, te kemi bindje në mëshirën e e Tij, të gjejmë prehje në fjalët e Tij, ti mbushim zemrat me plot besim dhe bindje se Allahu na bën më të fortë me leximin e Librit të Tij.

E lusim Allahu e Madhëruar të na i bëjë të dashur leximin e Kuranit dhe me të të na i përforcojë zemrat që më lehtë ti kalojmë sprovat.

Ali Shabani