Home Ahlak LUTJA QË IA KTHEHU SHIKIMIN IMAM BUHARIUT

LUTJA QË IA KTHEHU SHIKIMIN IMAM BUHARIUT

Një vajzë martohet për një djalë të devotshëm që quhej Ismail. Ai njihej si dijetar i madh, kishte marrë mësime nga imam Maliku, Allahu e mëshiroftë!, dhe nga fryti i kësaj martese të bekuar, u lind një djalë të cilin do ta emërtojnë me emrin Muhamed.
Pas një kohe të shkurtër, Ismaili ndërron jetë dhe gruas dhe fëmijës së tij u lë pasuri të madhe. Atë pasuri gruaja më vonë do ta investojë në edukimin e fëmijës së saj me edukatë të pastër islame. Qëllim i saj ishte që fëmijën ta bëjë dijetar nga dijetarët e mëdhenj mysliman, mirëpo, për fat të keq fëmija i saj u verbua në fëmijëri. Kur njeriu është i verbër, shumë rëndë është të transferohet nga një dijetar te tjetri dhe nga një vend në vend tjetër për të kërkuar dituri.
Allahu kësaj gruaje ia hapi derën e duasë dhe filloi t’i lutet Allahut me sinqeritet dhe me nijet të pastër. Një natë nga netët, duke fjetur, e pa në ëndërr Ibrahimin, alejhi selam!, i cili i tha: “E lumja ti, Allahu ia kthehu birit tënd pamjen nga lutjet e shumta që i bëre.”Ajo menjëherë u zgjua nga gjumi dhe kur e pa fëmijën e saj, ishte shëruar dhe të parit i ishte kthyer. I lartësuar qoftë Allahu, i cili i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret dhe i cili i largon brengat!
Pasi që iu kthye shikimi, nëna e drejtoi dhe e udhëzoi të birin në kërkimin e diturisë dhe Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe e bekoi në të.
Ai më vonë u bë autor i një ndër librave më të sakta në dynja, pas librit të Allahut, Kuranit, i cili titullohet dhe njihet si “Sahih el Buhari”.
Pra, rrëfimi është për Muhamed ibën Ismail el Buhari, apo siç njihet ndryshe si imam Buhari, Allahu e mëshiroftë!, të cilit Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe kuptimit të fesë.
Porosi për secilin nga ju që i trokitni dyert e mjekëve dhe nuk keni gjetur ilaç: trokitni në dyert e qiellit, mos u dëshpëroni nga mëshira e Allahut dhe mos u largoni nga duatë! Mos i ulni duart tuaja nga lutjet, se Allahu nuk lodhet nga lutjet tuaja, derisa ju nuk i lini ato.
Dr. Aid el Karni

Nga arabishtja: Irfan JAHIU