Home Ahlak PËRULJA NË NAMAZ – RREGULLA DHE DOBI

PËRULJA NË NAMAZ – RREGULLA DHE DOBI

  1. Fjala ‘el-hushu’ (përulje) në aspektin gjuhësor do të thotë ulje, qetësi, rehati, nënshtrim, edhe pse nënshtrimi zakonisht ndodh me trup, kurse përulja bëhet me zemër, trup, zë dhe shikim, ashtu siç Allahu thotë: “Të ulura do të jenë shikimet e tyre…” (El-Kalem: 43). Po ashtu thotë: “…dhe do t’i ulin zërat para të Gjithëmëshirshmit. Ti nuk do të dëgjosh tjetër, veç pëshpëritjes…” (Ta Ha: 108)[1]
  2. Fjala ‘el-hushu’ (përulje) në aspektin terminologjik do të thotë: Të qëndrojë zemra para Allahut me bindje dhe me nënshtrim.

Disa të tjerë e definuan si: Nënshtrimi i zemrave para të Gjithëdijshmit për të gjitha të fshehtat.

Përulja e zemrës është një kuptim që aludon në madhëri, dashuri, nënshtrim dhe qetësim[2]; kurse ajo që e shtyn zemrën të përulet është frikërespekti nga Allahu dhe mbikëqyrja e Tij.[3]

Shkurtimisht, përulja e zemrës është: “Një gjendje shpirtërore që ajo reflekton në gjymtyrë qetësi dhe nënshtrim.”[4]

  1. Përulja ndodh në namaz dhe jashtë tij, megjithatë me namazin është më e lidhur; në të përfshihen qëndrimi para Allahut, dhikri, leximi i Kuranit, rukuja dhe sexhdja.
  2. Vendndodhja e përuljes është zemra, kurse fryte të saj janë gjymtyrët, ato e reflektojnë jashtë atë. Kur zemra përulet, e pasojnë të gjitha gjymtyrët dhe organet atë në përulje. Ajo është mbreti, kurse gjymtyrët janë ushtarët e saj.

Ky lloj i përuljes është i lavdëruar ngase, kur ajo depërton në zemër, i detyron edhe gjymtyrët të përulen. Këtë proces nuk mund ta ndalë apo ta kthejë askush.[5]

  1. Ka edhe përulje të qortuar dhe nga pamjet e saj është shtirja në sjellje (artificialitet në sjellje), ulja e kokës para njerëzve që të duket me pamje modestie dhe i devotshëm, pa qenë i tillë realisht me zemrën e tij.

Prandaj Hudhejfe, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Kujdes nga përulja hipokrite.” I thanë: “E si është ajo?” Tha: “Ta shohësh trupin të përulur dhe zemra të mos jetë e përulur.”

Omer ibën El-Hatabi, Allahu e mëshiroftë, e pa njërin që e uli qafën (kokën) e tij në namaz dhe i tha: “O ti që po e ul qafën, ngrije atë! Përulja nuk është në qafa, por ajo është në zemra.”[6]

  1. Dallimi në mes ‘përuljes imanore’ dhe ‘përuljes hipokrite’ është në atë se “përulja nga imani është përulja e zemrës për Allahun, në shenjë madhërie, madhështie, frikërespekti, nderimi, turpi; ashtu që zemra i përulet Allahut me një përulje, ku bashkohen droja, frika, dashuria dhe turpi, pohimi i dhuntive të Allahut dhe pohimi i gjynaheve të zemrës. Me përulje të tillë zemra patjetër e ka të përulet dhe atë ta pasojë përulja e gjymtyrëve.

Kurse ajo hipokrite është e cila shfaqet në gjymtyrë, por me artificialitet dhe shtirje, sepse zemra nuk është e përulur.”[7]

  1. Përulja në namaz nënkupton praninë e zemrës para Allahut, e pranishme për shkak të afërsisë së Tij. Ashtu qetësohet zemra, rehatohet shpirti dhe qetësohen lëvizjet e namazfalësit. Ai i përulet Allahut duke e shfaqur nevojën për Të, me besim në Të dhe në takimin me Të. Lëvizjet e (panevojshme) tij në namaz janë të pakta, qëndron i edukuar para Zotit të tij, i ka në mend të gjitha ato që i thotë dhe i vepron, prej fillimit e deri në fund të namazit të tij. Ashtu i largon në namaz vesveset dhe mendimet e këqija nga mendja e tij.

Kjo është shpirti i namazit dhe ajo që synohet. Kjo është ajo që i shkruhet robit si shpërblim. Namazi pa përulje dhe pa prani të zemrës në të, pranohet, por humb në shpërblim. Shpërblimi fitohet sipas përuljes dhe pranisë së zemrës. [8]

Komentuesit e Kuranit për fjalën e Allahut: “…të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 2), i dhanë disa komente, ndër ta:

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ata janë të nënshtruar dhe të bindur.”

El-Hasan El-Basrij dhe Katade, Allahu i mëshiroftë, thanë: “Janë të frikësuar.”

Mukatil, Allahu e mëshiroftë, tha: “Janë të thjeshtë, të nënshtruar.”

Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, tha: “E ulën shikimin dhe e zvogëluan zërin.”[9]

  1. Përulja në namaz përmban qetësimin dhe përuljen. Ai që nxiton në namazin e tij dhe sexhdet i bën sikur çukit korbi, nuk është i përulur në sexhden e tij, po ashtu, ai që nuk e ngre kokën nga rukuja dhe nuk qëndron drejt pasi të ngrihet dhe para se të bjerë për në sexhde, ky nuk është qetësuar, sepse qetësimi në namaz nënkupton rehatinë në të. Andaj kush nuk ndien rehati në namazin e tij, ai nuk e ka arritur as qetësimin, e kush nuk e ka arritur qetësimin, nuk është përulur as në rukunë dhe as në sexhden e tij, e kush nuk është përulur ka bërë gabim dhe ka rënë në mëkat.[10]
  2. Përulja është nga dija e dobishme, çështja e saj tej mase është e rëndësishme, por edhe shumë shpejt humbet (ngrihet). Ajo është e para, e cila do të ngrihet nga dija, ashtu siç përcjellin Shedad ibën Eus dhe Ubade ibën Es-Samit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, të cilët thanë: “(Do të ngrihet përulja) Derisa të mos shohësh njeri të përulur.”[11]

Ubade tha: “Nëse dëshiron të të tregoj për dijen e parë që do të ngrihet nga njerëzit; ajo është përulja, derisa kur të hysh në xhami të falesh me xhemat nuk ke për të parë namazfalës të përulur në namazin e tij.”[12]

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dija e dobishme është ajo që depërton në zemra. Ashtu ajo ia detyron zemrës qetësinë, frikën dhe përuljen, thjeshtësinë dhe nënshtrimin për Allahun. E kur ajo nuk e prek zemrën, por mbetet vetëm në gjuhë, bëhet argument i Allahut kundër birit të Ademit. Për këtë kuptim, Allahu i përshkroi në Kuran dijetarët se ia kanë drojën dhe frikën, dhe për ta thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (El-Fatir: 28). Dhe po ashtu thotë: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)[13]

  1. Njerëzit dallojnë me njëri-tjetrin në namaz, nuk janë të njëjtë dhe gjendja e tyre ndryshon: disa e arrijnë kupën e qiellit me përuljen e tyre, e disa të tjerë as që e kanë mendjen në namaz, mendojnë rreth gjërave të tjera jashtë namazit.

Njerëzit në namaz janë pesë gradë:

Grada e parë: Ata që i bëjnë dëm vetes – ky grup është ai që ka mangësi në abdes, kohë, kufij dhe shtylla të namazit.

Grada e dytë: Ata që përkujdesen për kohët, kufijtë, shtyllat e jashtme dhe abdesin, por karshi vesveseve në namaz e kanë humbur betejën me veten. Vesveset dhe mendimet ua humbin një pjesë të namazit atyre.

Grada e tretë: Ata që përkujdesen për kufijtë dhe shtyllat e namazit, i largojnë vesveset dhe mendimet që u vijnë në namaz. Ky grup përpiqet ta fitojë armikun e tij, që mos t’i vjedhë nga namazi. Ata janë në namaz dhe në luftë.

Grada e katërt: Ata që kur falen i plotësojnë të drejtat, shtyllat dhe kufijtë e namazit. Zemrat e tyre përkujdesen fort që t’i respektojnë kufijtë dhe të drejtat e namazit dhe të mos humbin asgjë nga to, madje brenga e tyre e tëra është që ta falin namazin si duhet, ta plotësojnë dhe ta përsosin atë. Çështja e namazit dhe ubudija (të qenët rob i Allahut) ua ka përvetësuar zemrat atyre.

Grada e pestë: Ata që kur ngrihen për ta falur namazin, ngrihen me trup dhe me shpirt. Ata zemrat i vendosin përpara Allahut dhe me to shikojnë kah Ai, të mbushura me dashuri dhe me madhështi për Të, sikurse ta shohin me sy dhe ta kenë përpara Atë. Vesveset dhe mendimet në namaz u janë dobësuar. Pengesa në mes tyre dhe Allahut është larguar. Namazi i tyre karshi namazit të të tjerëve në vlerë dhe madhështi dallon aq shumë, si dallimi në mes qiejve dhe tokës. Për këta njerëz namazi është kënaqësia e syve të tyre dhe gjatë faljes së tij ata angazhohen vetëm se me Zotin e tyre dhe jo me dikë tjetër.

Grupi i parë ndëshkohen, grupi i dytë merren në llogari, grupit të tretë i falet, ata të katërtit shpërblehen, kurse të pestit janë afër Zotit të tyre, sepse namazi u është bërë kënaqësi për sytë e tyre. E atij që syri i kënaqet me namaz në dynja, do t’i kënaqet syri edhe kur t’i afrohet afër Allahut në ahiret, si dhe po ashtu do të kënaqet me Allahun në dynja.[14]

  1. Robi qëndron përpara Allahut dy herë: në namaz dhe përpara Tij kur e takon në Ditën e Kiametit. Ai i cili ia jep hakun qëndrimit të parë (namazit), do t’i lehtësohet qëndrimi tjetër (në Ditën e Kiametit), kurse ai i cili nuk e merr për seriozisht dhe nuk e jep hakun e tij në këtë qëndrim, do t’i vështirësohet qëndrimi tjetër në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe natën falju gjatë Atij. Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë.” (El-Insan: 26-27)[15]; ky është argument se përulja në namaz ia lehtëson robit qëndrimin e tij përpara Allahut në Ditën e Kiametit.
  2. Namazi është shtylla më e madhe e veprimit në fe, kurse përulja është shpirti dhe thelbi i tij. Për namazin përulja është sikurse shpirti për trupin. Namazi pa përulje dhe pa prani shpirtërore është si trupi i vdekur pa shpirt në të.[16]
  3. Përulja në namaz është cilësi e besimtarëve të shpëtuar në dynja dhe ahiret. Madje, kësaj cilësie i është dhënë prioritet para cilësive të tjera të tyre, menjëherë pas imanit, në fjalën e Allahut: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2). Namazi pra, qenka përulje dhe nënshtrim për Allahun. Nga të gjitha përuljet ajo në namaz është më e vlefshmja, sepse namazfalësi i lutet Zotit të tij, e ndien në vete se po qëndron përpara Allahut, andaj i përulet Atij. Kjo është nga edukata e plotë me Zotin e tij.[17]
  4. Përulja në namaz është një nga shkaqet e hyrjes në Xhenet, ashtu siç Allahu thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2), dhe në fund të ajeteve thotë: “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” ((El-Muminun: 10-11)

Allahu në një vend tjetër në Kuran i përshkruan robërit e Tij të zgjedhur dhe për njërën nga cilësitë e tyre thotë: “…të përulurit dhe të përulurat…”, dhe si shpërblim i veprës së tyre: “…për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka mysliman që merr abdes dhe e plotëson atë, pastaj ngrihet dhe i fal dy rekate, me përulje në zemër dhe me trup të nënshtruar, e ka hak Xhenetin.”[18]

  1. Përulja në namaz është një nga shkaqet e faljes së gjynaheve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kushdo që merr abdes të ngjashëm me abdesin tim, e pastaj i fal dy rekate dhe në to nuk e angazhon mendjen me diçka tjetër jashtë namazit, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[19]

Me një transmetim tjetër: “Nuk ka mysliman që kur vjen koha e namazit e merr abdesin e plotë, pastaj e fal farzin me përulje dhe me ruku të plotë, vetëm se i shlyhen atij gjynahet e mëparshme, përderisa nuk i afrohet ndonjë mëkati të madh. Kështu do të jetë gjendja e tij për tërë jetën, nëse e vepron të njëjtën.”[20]

Me një hadith tjetër Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi që e përmendi vlerën e abdesit tha: “…e nëse e fal namazin (pasi që ka marrë abdes) dhe në të e falënderon, e lavdëron dhe e madhëron Allahun ashtu siç e meriton Ai, dhe në namaz zemrën ia përul Allahut, i shlyhen atij mëkatet derisa të bëhet sikurse ditën që e ka lindur nëna e tij (d.m.th pa gjynahe).”[21]

  1. Namazi njëmend është i vështirë për secilin, përveçse për të devotshmit. Për ta namazi është i lehtë, madje realisht është kënaqësi për sytë e tyre, ashtu siç Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (El-Bekare: 45-46)

“Kjo, sepse të devotshmin përulja dhe frika nga Allahu dhe të shpresuarit e asaj që gjendet tek Allahu, e bëjnë atë që ta falë namazin me zemërgjerësi, të shpresojë shpërblimin dhe t’ia ketë frikën ndëshkimit. Në krahasim me tjetrin që nuk është i tillë, atë nuk e nxit dhe nuk e inkurajon asgjë, që ta shpresojë shpërblimin dhe ta ketë frikë ndëshkimin, për këtë arsye edhe falja e namazit për të është nga veprat më të vështira.”[22]

Namazi u duket i vështirë të padevotshmëve “shkaku se dashuria për Allahun, madhëria, madhështia dhe përulja për Allahun në zemrat e tyre është e mangët dhe nuk kanë dëshirë që t’i kultivojnë ato. Prezenca e robit në namaz, falja e namazit me përulje, plotësimi i namazit, dhënia e mundit maksimal për ta falur dhe përsosur namazin, vijnë sipas sasisë së dashurisë së tij për Allahun e Lartmadhëruar.”[23]

  1. Përuljen në namaz e arrin ai që zemrën e liron për namaz, e angazhon veten me namaz dhe jo me diçka të tjetër, i jep përparësi namazit para gjërave të tjera dhe atë e fal në mënyrën që kërkohet; kështu namazi për të bëhet rehati dhe kënaqësi për sytë e tij,[24] ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kënaqësia e syve të mi është në namaz.”[25]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “O Bilal, ngrihu dhe rehatona me namaz.”[26]

Kur je në namaz “lidhen zemra dhe shpirti me Allahun, robi është më afër Allahut, begatohet me të përmendurit e Tij, gëzohet me lutjen e Tij, qëndron para Tij, e përdor tërë trupin dhe fuqinë në ubudijen[27] e Tij.”[28]

  1. Nga faktet që e vërtetojnë rëndësinë e përuljes në namaz është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kërkonte mbrojtje nga zemërngurtësia dhe mospërulja e zemrës; dhe thoshte: “O Allahu im, kërkoj mbrojtje te Ti nga dija e padobishme, nga zemra që nuk frikohet dhe nuk përulet, nga shpirti që nuk ngopet (nuk kënaqet me atë që e posedon) dhe nga lutja që nuk pranohet.”[29]
  2. Dijetarët nuk janë të një mendimi për dispozitën e përuljes në namaz, se a është nga obligimet e namazit apo nga mirësitë dhe veprat që e plotësojnë atë.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se përulja në namaz është sunet nga sunetet e namazit, duke argumentuar se namazi llogaritet i saktë për namazfalësin që në namaz mendon rreth çështjeve të dynjasë. Po të ishte përulja kusht i namazit do të gjykonim për mossaktësinë e namazit të tij.

Disa të tjerë nga dijetarët, si: imam El-Gazalij, El-Kurtubij, Ibën Tejmije, Ibën El-Kajim e të tjerë, thanë që përulja në namaz është obligim.[30]

Si argument e përdorën fjalën e Allahut: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit…” (El-Bekare: 45); “ky ajet përmban qortimin e atyre që nuk përulen në namaz…. Dhe qortimi nuk vjen, përveçse, kur lihet një obligim ose veprohet një mëkat. Pasi mospërulësit në namaz qortohen, kjo aludon se përulja në namaz është obligim.”[31]

Në një hadith ceket: “Njeriu del nga namazi (d.m.th. e përfundon namazin) dhe atij nuk i është shkruar nga namazi i tij, përveç një e dhjeta, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij.”[32]

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Ajo që e merr nga namazi yt është pjesa që je falur me përulje dhe ke qenë i pranishëm me mendje.”[33] Kjo është argument se nga namazi i njeriut llogaritet vetëm pjesa që në të ka qenë i pranishëm me mendje dhe i përulur me zemër për Zotin e tij.

  1. Mospërulja në namaz i pakëson shpërblimet. Ajo që i llogaritet namazfalësit nga shpërblimi i namazit është pjesa që ka qenë i përulur dhe i pranishëm me mendjen e tij. Allahu e ndërlidhi shpëtimin e namazfalësve me përuljen e tyre në namaz dhe thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2); ky ajet aludon se ai që nuk ka përulje nuk bën pjesë në radhët e të shpëtuarve, e nëse përulet, do ta fitojë shpërblimin e namazit dhe do të llogaritet në mesin e të shpëtuarve.

Nëse në shumicën e namazit ka përulje, dijetarët janë unikë se namazi i tij në dynja i llogaritet dhe nuk duhet të përsëritet. Sunetet që falen para e pas farzit si dhe dhikri që bëhet pas farzit, e plotësojnë mangësinë e farzit.

E nëse nuk ka përulje dhe koncentrim në shumicën e namazit, dijetarët nuk janë të një mendimi se a detyrohet përsëritja e namazit apo jo. Shumica e tyre thonë që nuk duhet të përsëritet dhe se namazi është i saktë (por ka mangësi në shpërblime). I këtij mendimi është edhe Ibën El-Kajimi. Allahu e mëshiroftë.[34]

  1. Vesveset sa më pak që janë në namaz aq më i plotë është namazi, siç erdhi në hadith: “Kushdo që merr abdes si ky abdesi që mora unë, pastaj i fal dy rekate dhe në to nuk e angazhon mendjen me diçka tjetër jashtë namazit, i falen atij gjynahet e mëhershme.”[35]

Vesveset, nëse janë pak nuk e prishin namazin, në këtë janë të një mendimi të gjithë dijetarët, por ato e pakësojnë shpërblimin. Shpërblimet e namazit mund të plotësohet me namazet vullnetare, siç erdhi në hadith: “Njeriu del nga namazi (d.m.th. e përfundon namazin) dhe atij nuk i është shkruar nga namazi i tij përveç një e dhjeta, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij.”[36]

A nëse vesveset në namaz janë shumë, disa dijetarë thanë që namazi prishet dhe ai duhet të përsëritet, por shumica e dijetarëve janë të mendimit se namazi nuk përsëritet dhe ai është i saktë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk e urdhëroi atë që gaboi me harresë në namaz, që ta përsëriste namazin, por e urdhëroi ta bënte sexhden e harresës, dhe nuk bëri dallim se shumë apo pak ka qenë harresa. Ky është mendimi i Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij, Ibën El-Kajimit, Allahu i mëshiroftë!

Por, në mes dijetarëve nuk ka mospajtim te shpërblimi i namazit, se shpërblimi merret aq sa namazfalësi është i pranishëm dhe i përulur me zemër.[37]

  1. Shkaqet që ndihmojnë për në përuljen në namaz ndahen në dy grupe:

Grupi i parë: Shkaqet që e japin përuljen dhe e përforcojnë atë; kjo bëhet me përpjekjen e namazfalësit që ta kuptojë atë që e thotë dhe e vepron në namaz, të meditojë leximin, dhikrin dhe lutjet, t’ia kujtojë vetes se ai është duke iu lutur Allahut sikurse Atë ta shohë me sytë e tij, dhe të kërkojë nga Allahu që ta ndihmojë në shtimin e përuljes dhe përforcimit të tij.

Grupi i dytë: Largimin e shkaqeve që e zbehin ose e largojnë përuljen; kjo bëhet me përpjekjen e namazfalësit për t’i larguar gjërat që e preokupojnë zemrën nga synimi i namazit, si: vesveset, cytjet dhe mendimet.[38]

Andaj, namazfalësi duhet t’i njohë shkaqet që e sjellin përuljen, që ai t’i veprojë ato dhe t’i njohë shkaqet që e largojnë nga përulja e t’i mënjanojë ose t’i luftojë ato.

  1. Nga shkaqet që ndihmojnë të fitohet dhe të përforcohet përulja në namaz është parapërgatitja për në namaz, si: marrja e abdesit të plotë, përsëritja e ezanit me myezinin, veshja sa më bukur për namaz, braktisja e ushqimit që ka erë të keqe, shkuarja herët për në xhami, ecja për në xhami me qetësi, pritja e namazit në safin e parë, të angazhuarit me lutje, dhikër dhe lexim të Kuranit në mes ezanit dhe ikametit, radhitja dhe drejtimi i safave, sepse shejtanët depërtojnë nëpër zbrazëtirat e safave.
  2. Shkak tjetër që ndihmon të fitohet dhe të përforcohet përulja është qetësia në namaz dhe plotësimi i rukusë dhe sexhdes.

Qetësia në namaz është nga shtyllat e namazit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e urdhëroi sahabiun që nxitoi në namaz ta përsëriste namazin e tij[39]. Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Vjedhësi më i keq nga njerëzit është ai që vjedh në namazin i tij.” “E, si vjedh në namazin i tij, o i Dërguar i Allahut ?!”– i thanë. Tha: “Nuk e plotëson rukunë e as sexhden në namazin e tij.”[40]

Ai që s’ka qetësi në namazin e tij s’mundet as të përulet, sepse falja me nxitim e largon përuljen dhe e humb shpërblimin.

  1. Shkak tjetër që ndihmon të fitohet përulja është përkujtimi i vdekjes në namaz. Pra, namazfalësi ta falë namazin sikurse të jetë i fundit për të dhe pas tij më nuk ka namaz tjetër. Përcillet me një hadith: “Kur të ngrihesh për ta falur namazin, fale sikurse të jetë namazi yt i fundit.”[41]
  2. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja janë rikujtimi i madhërisë dhe i madhështisë së Atij që i qëndron përpara në namaz, turpërimi nga Ai, përkujtimi se të gjitha çështjet i rregullon dhe i drejton Ai, përkujtimi se kur në namaz e lexon suren Fatiha, atij i përgjigjet Allahu, pastaj meditimi i ajeteve që i lexon apo i dëgjon në namaz, leximi i rrjedhshëm dhe zbukurimi i zërit gjatë leximit të tyre, bashkëveprimi me to, meditimi i dhikrit të namazit, llojllojshmëria e sureve që i lexon, dhikri dhe lutjet e ndryshme që i thotë në fillim të namazit, ruku dhe sexhde. Kur namazfalësi në këtë mënyrë e përfundon namazin e tij, del me iman dhe bindje të shtuar në Zotin e tij.
  3. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja është:

– Marrja e sutres[42] për namaz dhe falja e namazit afër sutres që shejtani të mos ia ndërprejë namazin atij. Sutra ia përmban namazfalësit shikimin që të shikojë çfarë ka pas sutres dhe kjo bëhet shkak t’i ndihmojë që ta shtojë përuljen dhe të mos kthehet majtas apo djathtas në namaz.

– Vendosja e dorës së djathtë mbi atë të majtën gjatë qëndrimit në namaz. Kjo është nga shenjat e përuljes dhe nënshtrimit për Allahun. Kjo është më afër përuljes dhe i parandalon lëvizjet e panevojshme.

– Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu nga shejtani i mallkuar para se të fillohet me lexim në fillim të namazit si dhe përpjekja e namazfalësit për ta mundur shejtanin gjatë namazit. Uthman ibën Ebi El-As, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “O i Dërguar i Allahut, shejtani po ndërhyn në mes meje dhe namazit tim dhe po ma ngatërron leximin.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Ky është shejtani që quhet Hanzeb. Kur ta ndiesh se të ngacmon, kërko mbrojtje tek Allahu nga ai dhe pështyj lehtë tri herë në të majtën tënde.” Uthmani tha që veprova ashtu dhe Allahu e largoi nga unë.[43]

– Gjatë qëndrimit në këmbë pëlqehet të shikohet në vendin e sexhdes, kurse në teshehud pëlqehet që shikimi të jetë në gishtin tregues të dorës së djathtë dhe lëvizja e gishtit për shejtanin është më e rëndë se hekuri.

– Përkujdesja për shqiptimin e dhikrit pas përfundimit të namazit. Kjo ndihmon në përqendrimin e gjurmës së përuljes në zemër.

– Lutja për përulje, nënshtrim dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu për realizimin e tyre.

– Meditimi i gjendjes së të parëve tanë të mirë në namazin e tyre. Ata kishin përulje të madhe dhe namazi kishte vlerë të madhe në zemrat e tyre. “Kur ndonjëri nga ta fillonte me namaz dhe qëndronte në mihrabin e tij dhe e fillonte namazin me fjalët e Zotit, zemra e tij e përfytyronte se ky qëndrim është qëndrimi i njerëzve para Allahut në Ditën e Kiametit. Kjo ia copëtonte zemrën dhe mendja e tij fokusohej në namaz duke harruar çdo gjë tjetër.”[44]

Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kur ndonjëri nga ta hynte në namaz, përderisa ishte në namaz i frikësohej Allahut që ta lëvizte shikimin e tij, ose të kthehej në të majtë dhe në të djathtë, ose të lëvizte ndonjë guralec, ose të merrej me diçka të panevojshme, ose të mendonte rreth çështjeve të dynjasë, përveç me harresë.”[45]

  1. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja në namaz është largimi i çdo gjëje që e pengon dhe e largon nga përulja:

– Largimi i çdo gjëje nga vendfalja që e dekoncentron në namazin, si: vizatime, piktura dhe zbukurime, pastaj mosfalja e namazit afër vendit ku njerëzit bisedojnë dhe ndejave të kota, televizionit dhe të ngjashme me to. Këtu bën pjesë edhe përkujdesja për ta fikur celularin ose ulja e zërit të tij.

– Mospreokupimi i zemrës me gjëra të tjera jashtë namazit.

– Të mos falet kur është i përgjumur, ose kur ushqimi është gati dhe ai është i uritur, ose kur ka nevojë për kryerjen e dy nevojave fiziologjike. Në një hadith: “Nuk falet namazi kur ushqimi është i shtruar dhe as kur ai ka nevojë t’i kryejë dy nevojat fiziologjike.”[46]

Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, mund që të lutet kundër vetes së tij.” [47]

– Trupit t’i jepet haku me gjumë dhe pushim, braktisja e pagjumësisë, përveç rasteve me nevojë, që namazfalësi për namaz të jetë aktiv.

– Duhet të pengohet hapja e gojës, nuk duhet që namazfalësi të kthehet anëve në namaz si dhe nuk duhet që ta ngrejë shikimin kah qielli.

– Braktisja e përngjasimit me kafshët në namaz. Andaj namazfalësi nuk duhet t’i bëjë sexhdet sikur çukit korbi, nuk duhet t’i shtrijë krahët në sexhde ashtu si i shtrijnë kafshët e egra dhe nuk duhet të kthehet anëve në namaz sikurse lëvizjet e dhelprës.[48]

 

E lus Allahun që të na bëjë nga ata që përulen dhe binden për Allahun, të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e drejtë të Tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

(I PËRKTHYER NË GJUHËN SHQIPE)

 

[1] Shih: Lisanul Arab (8/71), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/516).

[2] Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/516, 517, 518).

[3] Tefsir Ibën Kethir (6/418).

[4] El-Kurtubij (1/374).

[5] Tefsir El-Kurtubij (1/375, 12/103), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/517), Edh-Dhul ue El-Inkisar lil-Aziz El-Xhebar, Ibën Rexheb (fq. 32).

[6] Tefsir El-Kurtubij (1/375, 12/103), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/517),

[7] Er-Ruh, Ibën El-Kajim (fq. 232).

[8] Tefsir Es-Sadij, (fq. 51, 547).

[9] Tefsir El-Bagavij (5/408).

[10] Mexhmual Fetava (22/554, 558), Kitabul Iman (fq. 26).

[11] Nesaiu fi “El-Kubra” (5878).

[12] Tirmidhiu (2653).

[13] Edh-Dhul ue El-Inkisar lil-Aziz El-Xhebar, Ibën Rexheb (fq. 45).

[14] El-Vabil Es-Sajib, Ibën El-Kajim (fq. 23).

[15] El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq. 200).

[16] Medarixh Es-Salikin (1/523), El-Vabil Es-Sajib (fq. 10).

[17] Et-Tehrir ue Et-Tenvir, Tahir ibën Ashur (18/9).

[18] Muslimi (234)

[19] Buhariu (159), Muslimi (226).

[20] Muslimi (228).

[21] Muslimi (832).

[22] Tefsir Es-Sadij (fq. 51).

[23] Kitabu Es-Salah, Ibën El-Kajim (fq. 140).

[24] Tefsir Ibën Kethir (5/461).

[25] Nesaiu (3939), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[26] Ebu Davudi (4985), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[27] Të qenët rob i Allahut (sh.p.)

[28] Zadul Mead (4/185).

[29] Muslimi (2722).

[30] Ihja Ulumu Ed-Din (1/159), Tefsir El-Kurtubij (12/104), Mexhmual Fetava (22/553), Medarixh Es-Salikin (1/132, 521-526), El-Meusua El-Fikhije (19/117).

[31] Mexhmual Fetava (22/553).

[32] Ebu Davudi (796), Ibën Hibani e saktësoi hadithin (1889), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[33] Mexhmual Fetava (22/603, 612, 32/217), Minhaxh Es-Suneh En-Nebevije (5/195, 6/217), Medarixh Es-Salikin (1/132, 521).

[34] Medarixh Es-Salikin (1/521, 526).

[35] Buhariu (159), Muslimi (226).

[36] Ebu Davudi (796), Ibën Hibani e saktësoi hadithin (1889), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[37] Mexhmual Fetava (22/603, 611), El-Ihtijarat El-Fikhije (fq. 59), Minhaxh Es-Suneh En-Nebevije (5/195), Medarixh Es-Salikin (1/132).

[38] Mexhmual Fetava (22/605).

[39] Buhariu (757), Muslimi (397).

[40] Ibën Hibani (1888), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[41] Ibën Maxhe (4171), El-Busirij e vlerësoi si hadith të dobët, shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[42] Sutra është ajo që e merr namazfalësi si pengesë në mes tij dhe atij që kalon përpara. D.m.th. vendos diçka përpara tij dhe hapësira në mes tij dhe asaj që e vendos është deri te vendi ku bie në sexhde dhe qëllimi i sutres është që të jetë si shenjë dalluese se ku është vendi që bie në sexhde namazfalësi dhe të tjerët të mos kalojnë në atë hapësirë ku ai falet. (sh.p.)

[43] Muslimi (2203).

[44] Hiljetul Evlija, Ebu Nuajm (9/340).

[45] Teadhim Kadru Es-Salah, Ibën Nasër El-Mervezij (1/188), Tefsir Et-Taberij (4/381).

[46] Muslimi (560).

[47] Buhariu (212), Muslimi (786).

[48] Për më shumë dije që të njihen shkaqet shtesë që ndihmojnë në përulje duke u bazuar në argumente: “33 Shkaqe që ndihmojnë përuljen në namaz”, Dr. Muhamed Salih El-Munexhid. (Libër ky i cili është i përkthyer në shqip nga hoxhë Sabit Gashi dhe botuar nga shtëpia botuese “Libart”) (sh.p.)