Home ZGJODHËM PËR JU Pranimi i veprave dhe ibadeteve nga ana e Allahut

Pranimi i veprave dhe ibadeteve nga ana e Allahut

Transmetohet nga Ubade ibn Samit (r.a.) se Resulullahi (s.a.v.s.) i ka thënë:

“Kush agjëron muajin e Ramazanit, duke qenë besimtar dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut,atij do t’i falen të gjitha mëkatet e shkuara.” Pranimi i veprave dhe ibadeteve nga ana e Allahut, bëhet i mundur vetëm me plotësimin e dy kushteve: besimit dhe sinqeritetit, siç shprehet qartë në hadithin e mësipërm me shprehjet duke “qenë besimtarë dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut”. Nga këto që thamë, mund të na vijë ndërmend pyetja se si mundet një njeri të shfaqë vepra besimtari, pa qenë besimtar? Por fatkeqësisht, realiteti me të cilin përballemi, është me të vërtetë jo i këndshëm. Shumë njerëz, megjithëse jobesimtarë, për arsye nga më të ndryshmet kryejnë një sërë ibadetesh. Nuk janë të pakta rastet, kur individë të ndryshëm besojnë se puna që kryejnë është obligim nga ana e Allahut teala, por, kur bëhet fjalë për zbatimin e saj, e përziejnë me hipokrizi, duke e kryer për shkaqe nga më të ndryshmet. Këto lloj veprash, sado të duken si ibadete, nuk e arrijnë gradën e vlefshmërisë. Dhe konkretisht, hadithi në fjalë tërheq vëmendjen për këtë anë të rëndësishme të ibadeteve, duke i përgëzuar ata që i plotësojnë këto kushte në agjërimin e tyre se do t’u falen të gjitha mëkatet e kaluara. Shprehjen “falen mëkatet”, dijetarët e kanë komentuar si mëkate të vogla dhe, në rastet kur nuk ka mëkate të vogla, një agjërim i kryer sipas përshkrimit të hadithit, lehtëson mëkatet e mëdha. Përsëri duke u bazuar te hadithi, dijetarët kanë arritur në konkluzionin se, edhe nëse një person, për shkaqe të arsyeshme nuk arrin ta plotësojë muajin e ramazanit, futet në grupin e të përgëzuarve në hadith për sinqeritetin në qëllim. Në hadith nuk përfshihen vetëm njerëzit që kanë mëkate, por edhe ata që nuk kanë mëkate për t’u falur, të cilët me anë të agjërimit arrijnë pozita më të larta tek Allahu teala. Vetëm nëpërmjet mënyrës së agjërimit, sipas përshkrimit të hadithit, agjërimi i ramazanit mund të luajë rolin e vet në ndryshimin dhe ngritjen shpirtërore të njeriut. Ramazani është epiqendër për përforcimin e fuqive shpirtërore, psikike e morale në jetën e popullit apo të individit. Myslimani, i cili agjëron me vullnet të lirë e bindje të plotë, për hir të Zotit e afrimit ndaj Tij, merr pjesë aktive në rindërtimin e vlerave fisnike. Mësimet që nxjerrim nga hadithi: 1. Kush beson në obligueshmërinë e ramazanit dhe shpërblimin e pret vetëm prej Allahut, atij do t’i falen gjynahet e shkuara. 2. Besimi tek Allahu dhe shpresa e shpërblimit vetëm tek Ai, është kusht për vlefshmërinë e ibadeteve.

The post Pranimi i veprave dhe ibadeteve nga ana e Allahut appeared first on KMK.press.