Home ZGJODHËM PËR JU Të saktë në iftar, kurse gjatë kthimit të borxhit, gjatë dhënies së...

Të saktë në iftar, kurse gjatë kthimit të borxhit, gjatë dhënies së provimit …

Autor: Mensur Kerla

Muslimanët janë shumë të saktë kur bëhet fjalë për pritjen e iftarit, por me të drejtë mund të pyesim, se a jemi të saktë kur bëhet fjalë p.sh. për dhënien e provimit me kohë, për shlyerjen e borxhit, për përmbushjen e detyrimeve… “O biri i Ademit! Ti nuk je asgjë tjetër përveç një grumbull ditësh. Kur të kalojë një ditë, kalon edhe një pjesë e jotja.”

Koha nuk është para. Koha është jetë!

Ndër shumë begati të panumërta që i janë dhuruar popullit tanë, për dy prej tyre veçanërisht duhet ta falënderojë Allahun e Plotfuqishëm, dhe për të cilat do të japë llogari të veçantë.

Begatia e parë është uji i freskët, i pijshëm, i pastër me bollëk, kurse begatia e dytë është koha e lirë.

Për shkak të begatisë së parë të përmendur do të zhvillohen luftëra në shekullin 21. Kështu, të paktën parashikojnë analistët, por Allahu e di më së miri. Begatinë e dytë, kohën e lirë, disa popuj të tjerë po përpiqen ta shndërrojnë në para, duke e shfrytëzuar në mënyrë produktive dhe duke e maksimizuar fitimin. Benjamin Franklin, burrë shtetas, filozof, shpikës, fizikan, ekonomist dhe shkrimtar amerikan (nuk është rastësi që portreti i tij gjendet në monedhën prej 100 $), ka thënë një fjali të thjeshtë, që sot është bërë thënie e njohur për të cilën mund të diskutohet, që është: “Koha është para.”

Për njeriun, koha duhet ta nënkuptojë vetë jetën, sepse me secilën sekondë që kalon, zhduket një pjesë e njeriut. Hasan el-Basriu (r.h.), ka thënë: “O biri i Ademit! Ti nuk je asgjë tjetër përveç një grup ditësh. Kur të kalojë një ditë, kalon dhe një pjesë e jotja.”

Ekzistojnë tri karakteristika kryesore të kohës: (1) kalon shpejt, (2) është e pakthyeshme dhe (3) është gjëja më e vlefshme që njeriu posedon. Mund të thuhet se çdo person e kupton dhe përjeton kohën në mënyrë të veçantë, ose shprehur më thjesht: secili ka (ose nuk ka) bereqet në kohë. Bereqeti në kohë nënkupton gjerësi dhe plotësim i nevojave në të.

Koha u është dhënë të gjithëve

Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran betohet për kohën: 1. Betohem në kohë, 2. – me të vërtetë, njeriu është në humbje, 3. – përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhërave të Allahut).“ (el-Asr, 1-3)

Dëshmia më e madhe e shkatërrimit dhe humbjes së njeriut pikërisht është koha. Është interesante se kësaj sureje kuranore, i paraprijnë ajetet që flasin për përpjekjet njerëzore për ta rritur pasurinë, duke përfunduar me ajetin: “Pastaj, atë Ditë, do t’ju pyesin për kënaqësitë (e kësaj bote)!”

Pas sures el-‘Asr, në mënyrë kronologjike pason surja e cila fillon me këto ajete: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës, – që grumbullon pasuri dhe e ruan, (për ardhmërinë e ëndërruar) – dhe mendon që ajo pasuri e tij, do ta bëjë të pavdekshëm!”

Surja el-Asr, pra, është i pozicionuar midis tregimit të dy të vërtetave të lartpërmendura për jetën e njeriut. Këtë lidhje midis sureve të përmendura, mund ta kuptojmë edhe në këtë mënyrë: O njeri, ti do të pyetesh për të gjitha begatitë që i ke shfrytëzuar, ku më e madhja syresh është koha që u është dhënë të gjithëve në dispozicion, qoftë besimtar apo jobesimtar, i pasur apo i varfër, i shëndetshëm apo i sëmurë, i ri apo plak.

Sipas disa komentuesve të Kuranit, të cilët fjalën el-‘Asr e interpretojnë si një periudhë të caktuar kohore, Allahu i Madhëruar betohet për jetën e Muhamedit (savs), siç bëhet në suren el-Hixhr (ajeti i 72), kështu që nëse e marrim në konsideratë këtë interpretim, ajeti i mësipërm mund të kuptohej: Pasha jetën tënde, o Muhamed, që si mëshirë ke ardhë për të gjithë njerëzit, nëse ata (njerëzit) nuk e ndjekin shembullin tënd, dhe nuk do ta kalojnë kohën ashtu siç ke vepruar ti – ata me të vërtetë do të jenë në humbje.

Transmetohet se sa herë që takoheshin dy nga shokët e Pejgamberit (savs), ata nuk shpërndaheshin derisa t’ia lexonin njëri-tjetrit suren el-‘Asr, duke ia kujtuar humbjen e përjetshme atij që nuk e shfrytëzon.

Ndjenja e muezinit për kohën

E kam dëgjuar një profesor, i cili gjatë ligjëratës së tij tregonte se muslimanët humbin me miliarda dollarë në vit, vetëm për shkak të vonesave në takime të rëndësishme dhe për mos kryerje të detyrave me kohë. Saktësia, vetia e cila së pari do të duhej t’i zbukuronte muslimanët, është bërë veti dalluese e disa popujve të tjerë ose e produkteve të tyre. Të gjithë kemi dëgjuar për precizitetin dhe saktësinë perëndimore, e cila shpesh krahasohet me mekanizmin e orës zvicerane. Muslimanët janë shumë të saktë kur bëhet fjalë për pritjen e iftarit, por me të drejtë mund të pyesim, se a jemi të saktë edhe p.sh. kur bëhet fjalë për dhënien me kohë të provimit, për shlyerjen e borxhit, për përmbushjen e detyrimeve… Na mungon ndjenja e rafinuar e muezinit për kohën, i cili çdo ditë është i vetëdijshëm për precizitetin, saktësinë dhe domethënien e kohës.

Koha është tepër e çmuar

Për rëndësinë e një viti, pyeteni studentin i cili e përsërit vitin e studimeve.

Për rëndësinë e një muaji, pyeteni ushtarin i cili është në stërvitje.

Për rëndësinë e një jave, pyeteni redaktorin e një gazete javore.

Për rëndësinë e një dite, pyeteni punëtorin i cili punon punë të rënda për ta ushqyer familjen e tij të madhe.

Për rëndësinë e një ore, pyetni dy të dashuruar të cilët dëshirojnë ta shohin njëri-tjetrin.

Për rëndësinë e një minute, pyeteni personin i cili e ka humbur një fluturim të rëndësishëm të aeroplanit duke u vonuar vetëm një minutë.

Për rëndësinë e një sekonde, pyeteni personin i cili për një sekondë i është shmangur aksidentit.

Për rëndësinë e një të qindtës së sekondës (1/100), pyeteni personin i cili për një të qindtën e sekondës nuk e ka fituar vendin e parë në lojërat olimpike.

Respektoni kohën

Ibn Abasi (r.a.), transmeton se Muhamedi (savs), ka thënë: “Dy begati janë që njerëzit nuk i shfrytëzojnë sa duhet, shëndeti dhe koha e lirë.” (Buhariu)

Të dyja këto begati mund të gjenden më shumë tek të rinjtë, të cilët kohën e tyre të lirë më me dëshirë e investojnë në Facebook sesa në veten e tyre, duke u admiruar me miliarda dollarë të pronarit të tij, i cili ka përfituar duke investuar dhe tregtuar me kohën e tjetërkujt. A nuk është një formë skllavërie dhe poshtërimi nëse të tjerët e investojnë kohën tonë të lirë?

Një person që është skllav, ai nuk ka të drejta, përkatësisht, ai përfaqëson pronësinë e personit ose grupit tjetër – zotërisë. Ai është i detyruar të kryejë punë dhe shërbime të tjera për zotërinë e tij, dhe për këtë nuk është i autorizuar të marrë asnjë kompensim. Personi që nuk e vlerëson kohën tonë, nuk na vlerëson as neve. Njeriu nuk do të lëvizë asnjë hap në Ditën e Gjykimit, derisa të përgjigjet për begatinë e kohës. Paraardhësit tanë të mirë e kishin zakon të thoshin se, e kanë të humbur çdo ditë në të cilën nuk kanë bërë ndonjë vepër të mirë, ose në të cilën nuk kanë mësuar diçka të re. Kohën nuk e vlerëson personi i cili është i pakujdesshëm. Humbja e kohës është mos falënderim për begatitë e Allahut. Ibn Kajjimi (r.h.), ka thënë: “Një nga shenjat se një njeri nuk e do Allahu dhe nuk është i kënaqur me të, është nëse ai e humb kohën e tij.”

Mos e shani kohën

Shumë herë kemi dëgjuar që dikush kishte një ditë të keqe, një muaj të pafat, një vit katastrofal etj. Nëse dita, muaji, apo viti ishin vërtet të pafat, atëherë kjo fatkeqësi do të aplikohej për të gjithë njerëzit. Sa është i rrezikshëm një pretendim i tillë dhe të ngjashëm, ndoshta më së miri e ilustron hadithi kudsijj, të cilin nga Pejgamberi (savs) e transmeton Ebu Hurejre (r.a.), në të cilin thuhet: ”Allahu i Madhërishëm thotë: Biri i Ademit më fyen kur e shan kohën, e në fakt Unë jam koha, e ndërroj natën dhe ditën.” (Buhariu)

Ashtë e njohur një thënie: “Ne kërkojmë mangësi në kohë, kurse mangësia është në ne. Koha, me të vërtetë, nuk ka mangësi dhe të meta tjera, përveç neve.”

Investoni kohën tuaj të lirë

Koha e lirë përkufizohet si koha të cilën njeriu mund ta përdorë sipas dëshirave të tij, pasi që t’i ketë realizuar më parë të gjitha nevojat dhe kërkesat e tij (gjumin, ushqimin, higjienën personale…) dhe pasi që t’i ketë përmbushur të gjitha obligimet (punën, mësimin, vizitën e të afërmve, përmbushjen e detyrimeve bashkëshortore, etj). Koha e lirë gjithashtu është pjesë e jetës sonë, në të cilën ne nuk duhet t’i neglizhojmë dhe t’i lëmë pas dore detyrat tona ndaj Allahut të Madhëruar dhe ndaj njerëzve. Duke pasur parasysh këtë, shumë dijetarë islamë pohojnë se muslimani nuk ka kohë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës. Sa më komplekse të jetë një bashkësi njerëzore, aq më pak ka kohë të lirë. (…)

Ne nuk duhet të kënaqemi duke e harxhuar kohën ‘nga dita në ditë’. Kjo është jetë pa perspektivë, pa shpresë, pa kuptim dhe pa bukuri. Në vend të kësaj, ne mund ta shfrytëzojmë kohën dhe ta investojmë me kujdes për qëllime të dobishme. Dëshmia e Hasan el-Basriut (r.h.), ndoshta më së miri e ilustron se çfarë qëndrimi ndaj kohës kanë pasur disa nga bashkëkohësit e tij: “Unë kam jetuar me njerëz, të cilët ishin më koprracë për kohën e tyre, sesa ju që jeni koprracë për paratë tuaja!”

Produktiviteti edhe pas vdekjes

Muhamedi (savs), na ka mësuar se, çdo moment i jetës sonë është mundësia më e mirë për të bërë vepra të mira.

Një proverb thotë: “Vepra më e mirë është ajo, për kryerjen e së cilës nxitohet.”

Malik ibn Enesi (r.a.), transmeton se Muhamedi (savs), ka thënë: “Nëse dikush prej jush ka marrë në dorë për të mbjellë një fidan, dhe në atë moment e vëren se është duke u bërë kiameti, le ta mbjellë fidanin para se të bëhet kiameti.” (Buhariu dhe Ahmedi)

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

The post Të saktë në iftar, kurse gjatë kthimit të borxhit, gjatë dhënies së provimit … appeared first on KMK.press.