Home \ Ahlak \ TETË ÇËSHTJET

TETË ÇËSHTJET

Një dijetar e pyet nxënësin e vet:

– Sa kohë ka që më shoqëron?

Ai iu përgjigj:

– Tridhjetë e tre vjet.

– Çfarë mësove nga unë gjatë kësaj periudhe?

– I mësova tetë çështje, – tha nxënësi.

– Më shkoi jeta me ty dhe ti nuk mësove gjë tjetër, pos tetë çështje! – u habit dijetari.

– Nuk kam mësuar më shumë se ato dhe nuk dua të gënjej, – tha i sinqertë nxënësi.

– Mirë, m’i trego ato që i ke mësuar!

Nxënësi filloi t’i numëronte çështjet e mësuara:

-E para: I shikova krijesat dhe vërejta se çdo njeri e do dikë, por kur shkon në varr, e lë i dashuri të dashurin e vet. Për këtë arsye, veprat e mira i bëra gjërat më të dashura, që kur të hy në varr, të hyjnë edhe ato me mua;

E dyta: E meditova fjalën e Allahut “Kurse ai që i është frikësuar Madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë strehë Xhenetin”[1] dhe e përgatita veten për ta mbrojtur nga epshet, derisa u përqendrova në adhurime të Allahut;

E treta: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdonjëri që posedon diçka me vlerë, e ruan atë që mos ta humbë dhe pastaj shikova në fjalët e Allahut “Gjithçka që keni ju është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu është e përhershme”[2] dhe çdo herë kur më bie në dorë diçka me vlerë, ia drejtoj Allahut që të ma ruajë tek Ai;

E katërta: I shikova krijesat dhe vërejta se ata lavdërohen ndërmjet veti për pasuri, prejardhje apo pozitë dhe pastaj shikova fjalën e Allahut “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij”[3] dhe fillova të punoj që të më shtohet frika ndaj Allahut dhe të bëhem tek Allahu i ndershëm;

E pesta: I shikova krijesat se si e fyejnë dhe mallkojnë njëri-tjetrin, dhe se burimi i gjithë këtyre ishte zilia dhe pastaj shikova në fjalën e Allahut “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetës në këtë botë”[4] dhe e largova zilinë, i braktisa njerëzit dhe mësova se mjetet e jetesës janë të ndara nga Allahu;

E gjashta: I shikova krijesat se e armiqësojnë dhe urrejnë njëri-tjetrin, dhe e shikova fjalën e Allahut “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik!”[5] dhe e braktisa armiqësinë e njerëzve dhe u mora me armiqësinë e shejtanit;

E shtata: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdonjëri nga ato e flijon veten për risk, madje edhe hynë në haram dhe e shikova fjalën e Allahut “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij”[6] dhe e kuptova se unë jam një nga këto gjallesa dhe u mora me atë që i takon Allahut dhe e braktisa atë që është e imja tek Allahu; dhe

E teta: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdo krijesë i mbështetet krijesës, disa për pasuri, disa për pozitë e disa për shëndet dhe e shikova fjalën e Allahut “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”[7] dhe e braktisa mbështetjen te njerëzit dhe u mbështeta vetëm se në Allahun.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1]              (En-Naziat: 40-41)

[2]              (En-Nahl: 96)

[3]              (El-Huxhurat: 13)

[4]              (Ez-Zuhruf: 13)

[5]              (Fatir: 6)

[6]              (Hud: 6)

[7]              (Et-Talak: 3)