Home \ ZGJODHËM PËR JU \ Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut

Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut

“Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka çmuar mik të ngushtë?!” (Nisa, 125)
Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu na bën të qartë se feja e vetme autentike e pastër është feja islame.
Besimtari më i mirë në këtë fe, është ai që i dorëzohet Atij me sinqeritet të plotë, duke e besuar si Krijuesin dhe Gjykatësin e çdo gjëje në këtë botë dhe në botën tjetër, duke qenë vepërmirë e i sinqertë në çdo veprim që kryen. Ky ajet i bën thirrje gjithë njerëzimit në përgjithësi dhe myslimanëve
në veçanti, që të mos mjaftohen vetëm me besimin teorik, por t’i dorëzohen plotësisht Allahut, duke zbatuar me përpikmëri dhe sinqeritet fenë e Ibrahimit, që Allahu e ka vlerësuar në Kuran si mikun e Tij. Duke iu drejtuar njerëzve me një pytje retorike, Allahu pohon se besimtar i mirë është
ai që beson Atë dhe vepron sipas normave të vendosura prej Tij, duke qenë i sinqertë në besim dhe veprim. Që një vepër të jetë e vlefshme tek Allahu, duhet të plotësojë dy kushte: e para, të jetë sipas normave të vendosura nga Allahu Teala ose i Dërguari i Tij dhe e dyta, të jetë e sinqertë,
duke iu dedikuar vetëm Allahut. Nëse vepra humb njërin nga këto kushte, bëhet e pavlefshme.
Kur personi nuk plotëson kushtin e sinqeritetit, quhet hipokrit, kurse kur nuk plotëson kushtin e saktësisë, konsiderohet i devijuar, prandaj Allahu e ka cilësuar se zbatuesi i veprës duhet të jetë ndjekës i fesë së pastër të Ibrahimit (a.s.). Kur besimtari i plotëson të dyja kushtet, arrin gradën e “ihsanit”, që do të thotë, ta adhurosh Allahun, sikur e shikon. Nëse ti nuk e sheh Atë, të jesh i bindur se Ai të shikon ty. Pra, të ndjesh mbikëqyrjen e Allahut në çdo veprim dhe moment. Kushti më i vështirë për t’u plotësuar nga besimtarët e pastër, mbetet sinqeriteti. Sinqeritet do të thotë
që çdo vepër ta bësh vetëm për hir të Allahut dhe ta mbash zemrën larg syfaqësisë, përfitimeve dhe interesave personale. Pejgamberi (a.s.), në një hadith thotë: “Kush përfiton dituri, jo për hir të Allahut, por për të arritur disa qëllime në këtë botë, nuk do ta ndjejë aromën e xhenetit, në
ditën e gjykimit.” (Ebu Davudi) Të gjitha veprat vlerësohen sipas sinqeritetit. Një vepër e vogël dhe e parëndësishme në dukje, arrin nëpërmjet sinqeritetit, gradat më të larta tek Allahu. Për veprat, sinqeriteti është në rolin e shpirtit. Veprat nuk mund të bëjnë dot pa sinqeritetin. Allahu i ka urdhëruar të gjithë pejgamberët dhe popujt e tyre, që ta adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe sipas mënyrës që u është komunikuar pejgamberëve: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine)

The post Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut appeared first on KMK.press.