Home \ ZGJODHËM PËR JU \ A ekziston vetëm një melaqe që i merr shpirtrat apo janë më shumë melaqe?!

A ekziston vetëm një melaqe që i merr shpirtrat apo janë më shumë melaqe?!

Pyetja: Disa të krishterë hedhin dyshime mbi Kuranin se ka kundërthënie mes ajeteve, dhe atë në suren Sexhde ajeti 11, ku pohohet se meleku i vdekjes është ai i cili i merr shpirtrat, dhe suren Muhamed ajeti 27 ku pohohet se melaqet i marrin shpirtrat njerëzve. A ka mundësi të më ndihmoni me një përgjigje, ngase unë e di që kundërshtime brenda Kuranit nuk egzistojnë, por më intereson se cili është moskuptimi i tyre.

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.
Pa dyshim se Kurani është fjalë e Allahut, nuk i vije e kota nga asnjë anë, është Libër hyjnor, nuk ka kundërshtime e as ndryshime.
Ata që hedhin dyshime për kundërshtime të tilla, është për shkak të dijes së mangët të tyre, leximin e meditimin e dobët rreth fjalës së Allahut.
Allahu thotë: “A nuk e meditojnë ata Kur’anin! Sikur ai mos të ishte prej Perëndisë, do të gjenin në të shumë kontradiksione.” Sureja Nisa, 82.
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu u drejtohet njerëzve me urdhër që të meditojnë rreth Kuranit, e i ndalon që mos t’i refuzojnë kuptimet e qarta e fjalët mahnitëse, duke u treguar atyre se nuk ka asnjë farë kundërshtimi aty, e as kundërthënie, sepse është libër i zbritur nga i Urti i Lavdishmi, është e vërtetë nga i Vërteti. (tefsir ibn Kethir, 1/529)

Së dyti:
Në disa ajete qëndron se ai i cili i merr shpirtrat është një melek, sikur qëndron në fjalën e Allahut: “Thuaju: “Do t’jua merr shpirtin engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” Sureja Sexhde, 11.
Sa i takon emërtimit të tij me emrin Azrail, sikur që është e njohur tek shumë njerëz, nuk qëndron asnjë hadith autentik për këtë.
E në ajete tjera qëndron se melaqet ua marrin shpirtrat njerëzve, e jo vetëm se një melek, sikur tek fjala e Allahut: “Kur engjëjt u merrnin atyre shpirtërat të cilët i kanë bërë zullum vetvetes.” Sureja Nisa, 97.
“E, (çka do të bëjnë) ata, kur engjëjt do t’u marrin shpirtin atyre.” Sureja Muhamed, 27.
“të dërguarit tanë (engjëjt) e bëjnë të vdekur (ia marrin shpirtin).” Sureja En Amë, 61.
E ajete tjera.
Mes tyre nuk ka kundërshtim, dhe atë se i autorizuar për marrjen e shpirtrave është vetëm se një melek, por që ai ka edhe ndihmëtarët e tij, që veprojnë sipas urdhrave të tij.
Ajo që aludon se meleku i vdekjes ka ndihmëtarët e tij është hadithi që e shënon Ahmedi në Musnedin e tij nga Bera ibn Azib, i cili ka thënë: i dërguari (sal-Allahu alejhi ve selem) ka thënë: “Me të vërtetë, kur robi besimtar po largohet nga kjo botë dhe po i afrohet tjetrës, atij i zbresin engjëjt prej qiellit me fytyra të bardha. Ata kanë me vete qefina prej qefinave të Xhenetit dhe parfume prej parfumeve të tij. I afrohen njeriut aq pranë, sa ç’është edhe shikimi i tij. Më pas vjen engjëlli i vdekjes, i ulet pranë kokës dhe i thotë: “O shpirt i qetë, dil drejt faljes dhe kënaqësisë së Allahut!” Shpirti do të dalë, ashtu siç del pika e ujit nga burimi. Më pas ëngjëlli i vdekjes do ta marrë shpirtin e tij, por engjëjt e tjerë do t’ia marrin dhe nuk do ta lënë për asnjë çast në dorën e tij (ëngjëllit të vdekjes), do ta vendosin në qefin, do ta lyejnë me parfumin e Xheneti dhe prej (shpirtit të) tij do të kundërmojë një erë si era e aromës më të mirë që mund të gjindet në tokë. Duke u ngjitur në qiell bashkë me të”. Hadithi është autentik, e vlerëson ibn Kajimi në librin e tij (Ialemul Muveki’in, 1/214) dhe shejh Albani në (Ahkamu Xhenaiz, faqe159)

Ky hadith tregon që meleku i vdekjes ka me vete edhe melaqe tjera që e marrin prej tij shpirtin kur ai e merr nga trupi i njeriut.
Ibn Xherir Taberiu thotë: “nëse dikush thotë: a nuk është meleku i vdekjes ai i cili i merr shpirtrat, e si është thënë në ajet (atyre ua marrin shpirtrat të dërguarit tanë), në shumës, ndërsa ai është një?

Thuhet: Lejohet që Allahu i lartmadhëruar ta ketë ndihmuar melekun e vdekjes me ndihmëtarë, kështu që ata marrin prej tij urdhra, kështu që marrja e shpirtrit i aneksohet melekut të vdekjes njejtë sikur që kur ndihmëtarët e sulltanit vrasin aneksohet vrasja tek sulltani, ehde pse vetë sulltani nuk është ballafaquar me vrasjen.” (tefsir Taberi, 11/410)

Kurtubiu thotë: marrja e shpirtit herë aneksohet tek meleku i vdekjes, herë tek melaqet që marrin përsipër këtë veprim me urdhër, e herë aneksohet tek Allahu, e që Ai në realitet është marrës i shpirtrave sikur që thotë: “Allahu iu merr shpirtërat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes.” (tefsir Kurtubi, 7/7)

Së treti: i nderuari vëlla, të këshilljmë të largohesh nga dëgjimi i dyshimeve, posaçërisht në mungesë të forcës së dijes për t’iu kundërpërgjigjë, e të preokupohesh me gjëra që të bëjnë dobi nga dija e dobishme e veprat e mira.