Home \ ZGJODHËM PËR JU \ A keni probleme? Zgjidhjen e gjeni në namazin e natës

A keni probleme? Zgjidhjen e gjeni në namazin e natës

Njëri nga ibadetet më të bukura që mund të bëjë një besimtar, i cili e ushqen shpirtin e njeriut, i shlyen mëkatet dhe forcon imanin e tij është namazi i natës.

Është e mjaftueshme të falen vetëm dy rekate, andaj le të përpiqemi që të paktën t’i falim nga dy rekate çdo natë para se të hyjë agimi, Allahu i Plotfuqishëm do të na japë iman, dritë dhe bindje, do të na forcojë në Rrugën e drejtë, dhe do të na bëjë të vazhdueshëm.

Për këtë shkak, Ibn Xhevzij pohon se namazi i natës më së miri mund ta edukojë shpirtin njerëzor. Këtë e dëshmon rasti, kur Pejgamberi (savs), i pyetur nga Hafsa (r.a.), për Abdullah bin Omerin (r.a.), është përgjigj: “Abdullahu është njeri i mrekullueshëm, vetëm sikur të falte edhe namazin e natës.” (Buhariu, 1128; Muslimi, 1722)

Pas këtyre fjalëve, Abdullahu (r.a.), vetëm pak flinte gjatë natës. Buhariu në Sahihun e tij shënon një transmetim, në të cilin thuhet se Pejgamberi (savs), i ka thënë Ibn Amrit (r.a.): “O Abdullah, mos u bëj si ky dhe ai njeri, i cili filloi të falë namaz nate, dhe pastaj e ndërpreu.”

Duhet ta ringjallim këtë sunet, i cili është lënë pas dore, dhe të cilit njerëzit kanë filluar t’i shmangen, përveç një pakice të cilët i ka mëshiruar Allahu i Plotfuqishëm. Mjafton që besimtari të ngrihet natën, të paktën pak, t’i falë dy rekate, dhe pas tyre t’i lutet Allahut të Plotfuqishëm për falje, t’i ngrejë duart në lutje para Atij, i Cili i di të gjitha sekretet, i Cili ua lehtëson besimtarëve nevojat e tyre, i Cili asnjë lutje nuk e refuzon, i Cili i kupton të gjitha gjuhët e botës dhe i Cili i kupton të gjitha pëshpëritjet.

Prandaj, besimtari në këtë kohë të natës, le t’i ankohet Allahut të Plotfuqishëm, për mundimet që e mundojnë, për pafuqinë dhe dobësinë e tij, për mëkatet të cilat i ka bërë, sepse;

– Nëse Allahu nuk do të ishte i mëshirshëm, kush do të jetë përveç Tij?

– Nëse Ai nuk do t’i falë mëkatet, kush do ta bëjë këtë përveç Tij?

– Nëse Ai nuk do ta pranojë pendimin tonë, atë nuk mund ta bëjë askush përveç Tij. /Akos.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

The post A keni probleme? Zgjidhjen e gjeni në namazin e natës appeared first on KMK.press.