Home \ ZGJODHËM PËR JU \ Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt
aty-do-te-gjejne-te-shenuar-gjithcka-qe-kane-punuar.-zoti-yt-nuk-i-ben-padrejtesi-askujt

Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt

“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të e do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa shënuar”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf, 49)

Ky ajet na jep një tabllo të qartë për atë që do të përjetojnë njerëzit në ditën e gjykimit, kur të gjithë pa përjashtim, të ndodhen të rreshtuar përpara audiencës hyjnore, pa asnjë mundësi për t’u fshehur apo për t’iu anashkalur gjykimit suprem. Mëkatarëve do t’u vendoset përpara regjistri që përfshin deri në detajet më të vogla, të gjitha veprat që kanë kryer në dynja, në mënyrë që të kenë mundësi të shikojnë veprat e tyre që edhe mund t’i kenë harruar. Kur shikojnë veprat e veta të mirëruajtura në këta regjistra, fillojnë të frikësohen për veten. Duke u ndodhur përpara këtyre fakteve të pakontestueshme, nuk kanë asnjë arsye për të përligjur veprat e tyre. Kështu që, pa iu bërë asnjë padrejtësi, dënohen për veprat e kryera. Të gjithë ata që ditën e gjykimit do të përballen me një situatë të tillë, e dinin shumë mirë se shejtani ishte armiku i tyre, por ata e morën për mik dhe udhërrëfyes në jetën e tyre. Djalli i devijoi nga rruga e drejtë, duke i zvarrisur nëpër humnerat e ferrit. Për të mos u përballur me një situatë të tillë, duhet patjetër që “çdo njeri të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen.” (Hashr, 18); pra gjykoni veprat tuaja, përpara se të gjykoheni dhe shikoni çfarë keni përgatitur për ditën e gjykimit kur të ndodheni përpara Krijuesit tuaj. Kjo është një frazë që përçon mesazhe shumë domethënëse në zemrat e besimtarëve. Me të arritur në zemër ky mesazh, përpara besimtarit shfaqet regjistri i veprave mbi të cilin ai reflekton, me qëllim që të përmirësojë sjelljen a punën e tij. Dhe në këtë mënyrë e kupton çfarë ka përgatitur për të siguruar të ardhmen në botën tjetër. Nëse një njeri reflekton dhe kontrollon në mënyrë të vazhdueshme veprat e tij, mundësia për t’i përmirësuar është më e madhe. Kurse njeriu që nuk reflekton mbi sjelljet e tij, duke treguar mospërfillje ndaj gjykimit në botën tjetër, do të dalë para Allahut në ditën e gjykimit i mjerë dhe pa mundësi kthimi mbrapa. Për të mos rënë në këtë gjendje të mjerueshme, çdo ditë duhet të arsyetojmë, ta rifreskojmë besimin duke kryer të mira që kënaqin Krijuesin.

The post Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt appeared first on KMK.press.

%d bloggers like this: