Home \ ZGJODHËM PËR JU \ Burri i verbër, dhe gruaja e tij me sëmundje

Burri i verbër, dhe gruaja e tij me sëmundje

Ai u martua me një bukuroshe të cilën e dashuronte në emër të Allahut. Ata i bashkoi një dashuri e madhe dhe e sinqertë. Ai punonte jashtë vendit. Një ditë, gruaja e lajmëroi se po vuante nga një sëmundje e cila kishte filluar t’ia deformonte fytyrën. Në letrën e saj, ajo i propozoi që të divorcoheshin me marrëveshje.

Ai në letër i ktheu këtë përgjigje: “Prit pak, sepse këto ditë do të kthehem në shtëpi, me lejen e Allahut, dhe merremi vesh.”
Gjatë udhëtimit ai pati një aksident të vogël. Një kohë të shkurtër qëndroi në spital. Mirëpo, në shtëpi u kthye i verbër. Në aksidentin e trafikut ai e humbi shikimin.

Gruaja e tij tash nuk mund të kërkonte divorcin e martesës dhe ta linte atë të verbër dhe të vetëm në shtëpi. Ai nuk e vërente se ajo më nuk ishte e bukur. Ata vazhduan të jetojnë të lumtur.

Pas disa vitesh, sëmundja e gruas tij përparoi dhe ajo kaloi në një botë tjetër.

Burri i pikëlluar po qëndronte mbi varrin e saj. Pas varrimit u ngrit dhe nxitoi për në shtëpi. Njerëzit po e shikonin me çudi. I verbër, vetëm, madje edhe pa shkopin për të verbër, nxitoi për në shtëpi. Dikush e thirri: “Ndalu o njeri, do të rrëzohesh!?”
Kurse ai, me dinjitet, tha: “Unë për asnjë minutë nuk isha i verbër!”

Subhanallah!

Çfarë respekti ndaj bashkëshortes! Sa mënyrë të bukur ka zgjedhur për ta mbrojtur të dashurën e tij dhe dinjitetin e saj! Ai nuk ishte i verbër. Të verbër janë ata të cilët i kanë bashkëshortet e bukura dhe fisnike, ndërsa shikimin e tyre e kthejnë nga të tjerat!

O Allahu ynë, na bëj që të jemi të kënaqur me hallallin dhe mos të anojmë kah harami!