Home \ Ahlak \ DOBITË E DHIKRIT

DOBITË E DHIKRIT

  • Dhikri ka shumë dobi dhe mirësi që prej tyre përmendësi përfiton në dynja dhe në ahiret. Nga to:
    • Dhikri e largon shejtanin dhe e thyen atë.
    • Dhikri e kënaq Allahun.
    • Dhikri e largon mërzinë dhe pikëllimin nga zemra.
    • Dhikri i jep zemrës gëzim, lumturi dhe gjerësi.
    • Dhikri e kënaq dhe e forcon zemrën.
    • Dhikri u jep fytyrës dhe zemrës dritë.
    • Dhikri është shkak për risk.
    • Dhikri i jep përmendësit freski dhe ëmbëlsi.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit dashurinë, e cila është shpirti i Islamit.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit vetëdijen e mbikëqyrjes së Allahut, derisa ta futë në derën e mirësisë.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër kthimin tek Allahu.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër frikërespektin ndaj Allahut.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër shkëlqimin dhe e ruan nga ndryshkja.
    • Dhikri i shlyen mëkatet. Ai është nga veprat më të mira, ndërsa vepra e mirë e shlyen të keqen.
    • Dhikri e largon egërsinë në mes robit dhe në mes Allahut.
    • Dhikri është shkak për përfitimin e mirësive dhe largimin e fatkeqësive. S’ka vepër të ngjashme që i përfiton mirësitë e Allahut dhe i largon fatkeqësitë si dhikri.
    • Dhikri është shpëtim nga vështirësitë.
    • Dhikri është siguri nga humbja në Ditën e Kiametit.
    • Dhikri është nga ibadetet e lehta, më i vlefshmi dhe më i miri.
    • Shpërblimet dhe mirësitë që vijnë si shkak i dhikrit, nuk i gjen te veprat e tjera të ngjashme me të.
    • Përmendja e Allahut në vazhdimësi e garanton mosharresën e Allahut, ndërsa harresa e Allahut e detyron fatkeqësinë e robit.
    • Nuk ka asnjë vepër si dhikri që i gjithëpërfshin kohët dhe situatat.
    • Në zemër ka boshllëk që nuk e plotëson atë diçka tjetër përveç dhikrit.
    • Dhikri i jep fuqi atij që e përmend Allahun, saqë me dhikër mund të bëjë gjëra që nuk mundet t’i bëjë pa dhikër.
    – Dijetari es-Sa’dij, Allahu e mëshiroftë, tha:
    Përmendja e Zotit të Arshit, në fshehtësi dhe në publik,
    e largon prej teje brengën dhe mërzinë,
    i sjell të mirat e dynjasë dhe të ahiretit,
    dhe i largon vesveset kur të vijnë.
    I zgjedhuri (Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) një ditë i lajmëroi shokët e tij,
    se ata që shumë e përmendin Allahun paraprijnë.
    E porositi Muadhin që ndihmë të kërkojë nga Zoti i tij,
    t’ia lehtësojë përmendjen, falënderimin dhe ibadetin e Tij.
    E porositi tjetrin që erdhi të këshillohet,
    se dispozitat e Islamit i janë shtuar,
    le të jetë vazhdimisht gjuha jote e njomë nga të përmendurit e Allahut,
    do të lumturohesh dhe kjo do të të ndihmojë në të gjitha çështjet e tua.

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT