Home Uncategorized GABIMET E NAMAZFALËSVE NË DITËN E XHUMA

GABIMET E NAMAZFALËSVE NË DITËN E XHUMA

GABIMET E NAMAZFALËSVE NË DITËN E XHUMA

1. LËNIA E NAMAZIT TË XHUMASË PA NDONJË JUSTIFIKIM SHERIATIK: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush i lë tre namaze të xhumasë (radhazi) dhe është i pakujdesshëm ndaj kësaj çështje, Allahu do t’ia vulosë zemrën atij.” [Ebu Davudi në Sunnenin e tij, nr. 1054 me zinxhir të saktë].

2. SHITBLERJA NË KOHËN E XHUMASË: Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” [El-Xhumua: 9].

3. TË BISEDUARIT (PAVËMENDJA) PASI TË NGJITET IMAMI NË MINBER: Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush i thotë shokut të vet “hesht” kur imami mban hutben në ditën e xhuma, ai (thënësi) veçse e ke humbur (shpërblimin e xhumasë).” [Tirmidhiu në Sunnenin e tij, nr.512 me zinxhir të saktë].
Gjithashtu, ajo që hyn në gjërat e pavëmendjes ose atyre boshe janë: luajtja me zinxhirin e çelësave (të makinës apo diçkaje tjetër), me rrobat, me atë që është e shtruar në xhami tapeti apo rrogoza, gjithashtu përshëndetja dhe kthimi i saj. Po ashtu, dhënia e selamit apo kthimi i tij, përderisa imami e mban hutben, po ashtu nëse hyn dikush dhe imami mban hutbe nuk duhet të jap selam, por edhe sikur dikush të jap selam, nuk duhet t’i kthehet selami, si dhe mos lutja ndaj atij që teshtin. Gjithashtu, edhe ngritja e ndonjërit prej namazfalësve në mes të xhamisë duke kërkuar që xhemati të ecin përpara, edhe kjo nuk është e lejueshme. Por, i bën shenjë imamit dhe ai kërkon nga namazfalësit të veprojnë një gjë të tillë, përndryshe askush nuk mund ta kërkojë këtë ose ta detyrojë dikë tjetër përderisa imami mban hutben e xhumasë.

4. LËNIA E TEHIJJETUL MESXHID (DY REKATEVE KUR HYN NË XHAMI) : Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Sulejk El-Gatafanij hyri në xhami në ditën e xhuma, ndërkohë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mbante hutben. I Dërguari i Allahut e pyeti atë: A u fale (tehijjetul mesxhid)?”
Tha: “Jo.”
I Dëguari i Allahut i tha: “Atëherë ngrihu dhe fal dy rekate të lehta (pa i zgjatur)!”
[Ebu Davudi në Sunnenin e tij, nr. 1116 me zinxhir të saktë].

5. VONIMI I TEHIJJETUL MESXHID DERISA MUEZINI TA PËRFUNDOJË EZANIN: Disa hyjnë në xhami dhe e shohin muezinin duke thirrur ezanin dhe qëndron në këmbë duke përsëritur atë që thotë muezini. E kur mbaron muezini, ai (namazfalësi) fillon me faljen e tehijjetul mesxhid, por një veprim i tillë është i gabuar. Gjëja e duhur është që të fillojë të fali tehijjetul mesxhidin dhe mos të presi derisa muezini të mbaroj ezanin, në mënyrë që t’i përkushtohet dëgjimit të hutbes, sepse pasimi i (fjalëve) muezinit është sunnet, ndërsa dëgjimi i hutbes është vaxhib (obligim) dhe obligimit i jepet përparësi ndaj sunnetit.

6. BESIMI (BINDJA) SE XHUMAJA KA SUNNETE PËRPARA: Disa besojnë se xhumaja ka sunnete përpara, por kjo është gabim. Nuk ka sunnete para xhumasë, por ka sunnete pas saj. Sa u përket sunneteve para xhumasë, muslimani fal tehijjetul mesxhid (dy rekate sunnet kur hyn në xhami), pastaj ai mund të fal namaz nafile aq sa dëshiron Allahu për të, të fali (pra mund të fali namaz nafile derisa imami të ngjitet në mimber).

7. PËRZGJEDHJA E TË ULURIT NË FUND TË XHAMISË: Transmetohet nga Semure ibn Xhundub, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Prezantoni në dhikër (përmendjen e Allahut që bëhet gjatë hutbes) dhe afrojuni imamit, sepse njeriu vazhdon të largohet (nga imami), derisa vonohet për të hyrja në Xhennet, edhe nëse do të hyjë në të.” [Ebu Davudi në Sunnenin e tij, nr. 1108 me zinxhir të mirë].

8. KALIMI MBI QAFËT E NAMAZFALËSVE: Transmetohet nga Abdullah bin Busri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Erdhi një njeri në xhami në ditën e xhuma dhe filloi të kalonte mbi qafët e njerëzve, derisa i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mbante hutben, kështu që i Dërguari i Allahut i tha: “Ulu, sepse i shqetësove (i dëmtove namazfalësit)!” [Ebu Davudi në Sunnenin e tij, nr. 1118 me zinxhir të saktë].

9. PËRGJUMJA GJATË HUTBES: Transmetohet nga Abdullah bin Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush përgjumet duke qenë në xhami në ditën e xhuma, le ta ndëroj venduljen e tij në një tjetër.” [Ahmedi në Musnedin e tij, nr. 4875 me zinxhir të saktë].

10. INJORANCA (padituria) NË KUPTIMIN E ARRITJES SË XHUMASË: Kush e arrin një rekat me imamin, ai vazhdon e plotëson xhumanë. Pra, ai e shton (e fal) vetëm një rekat shtesë.
Nëse arrinë më pak se një rekat, pra hyn atëherë kur imami e ngrit kokën nga rukuja e rekatit të dytë, atëherë ai do ta plotësojë namaz dreke, pra do fali katër rekate. Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush e arrin një rekat të namazit, ai e ka arritur namazin.” [Sahih Buhari, nr. 580 dhe Sahih Muslim, nr. 607]

Marrë nga profili zyrtar i Shejh Vahid AbduSelam Bali
Përktheu nga arabishtja: Amir Shabani
14.01.2020