Home \ ZGJODHËM PËR JU \ GACË NË DORË

GACË NË DORË

Sprova, një dridhje në shpirt dhe hapje e një dere të re në zemër për të parë rrugëdaljen.

Duke i marrë kujtimet nga e kaluara, njeriu vuajtje i shkakton së ardhmes. Edhe loti që i ngrohtë doli prej syrit, i ftohtë përfundoi kur u ter në mollëzat e faqes.

Ajo pranverë që me një aromë luleje u çel në veten time, u deshtë me njëqind lule të përpiqem ta gëzoj zemrën tjetër.

Nëse më munguan fjalët, më ndihmoi heshtja për t’ua dhënë zemrën atyre që me gurë m’i kthyen lulet e mia. E nëse më munguan këshillat, më ndihmoi përvoja t’i mbajë afër ata që deshën të më largohen. Edhe pse shpirti fisnik është melhem për varrë, në sytë e injorantit nuk çmohet nga zilia. Sa ilaç i mirë për zemrën është kur me bukë ua kthen gurët që i kanë hedhur drejt teje.

Në fytyrën e bardhë ku dritë bën buzëqeshja çdoherë fshihet një pikëllim që ia bren shpirtin, por që i jep frymëzim për të ndryshuar gjendjen. I mundëson një shtytje që ta durojë dhimbjen vetëm mos ta shikojë vuajtjen te tjetri. Ajo dhimbje që me plagët e saj pushon në qenien e tij, nuk e lë të qetë, mirëpo e nxit t’ia shtrijë dorën tjetrit që gishtat i kanë mbetur të hapura dhe pret kapjen e tyre.

Zemrën që e do nga dhembshuria, do ta afrosh nga mëshira, por ç’t’i themi mëshirës që nga dhimbja mbi tjetrin, vetën e lenë në harresë?!

Zemra e pastër e harron vetën duke i kujtuar nevojat e tjetrit dhe futja e gëzimit tek ai e bën më të gëzuar se gëzimi i shfaqur prej tij. Lehtë u shqiptuan fjalët kur vepra ishte ndërtuar mbi bazën e besimit dhe kur zunë vend në skajin e njomë të shpirtit. Njeriu që me mund arriti t’i bashkojë dy zemra, shumë zemra tjera gëzueshëm thurën fjalë falënderimi për të. Shumë zemra e duan njeriun që me vepra është i dobishëm në jetën e tyre dhe me fjalë mërzinë në lumturi ua kthen.

Për ta dhënë të mirën të bërë prej teje kërkohet një forcë që nxitet nga besimi, ndërsa jetohet nga frymëzimi në përditshmërinë tënde. E kur mendimi arriti të frymëzohet që të veprojë, zemra ishte e gatshme t’i dalë në ndihmë. Deshi t’ia ofrojë këshillën kur e kërkon fjalën, e t’ia jap durimin kur goditet nga sprova.

Valët e sprovës e përcjellin zemrën kur dëshiron që zemrat tjera t’i zgjojë nga gjumi dhe kur do ujin t’ia jep zemrës së etur. Zemra që gjithnjë mbetet e bardhë, çdoherë bëhet cak i atyre që u pengon drita. Vështirë është të përshtatesh në errësirë kur me dritën ke jetuar. Rëndë është ta thuash gënjeshtrën, kur me të vërtetën e ke ndërtuar jetën. Ngase kur e do të mirën, ajo del prej teje, e kur atë ua dëshiron të tjerëve, jeton në zemrat e tyre.

Në çastin kur vuajtja do të të mbyll në vetvete, do të të bëjë me të fortë në ballafaqim me lotin. Derisa e fshin lotin, e shikon edhe derën e cila ta ofron zgjidhjen. Loti ndikon që prej momentit kur do të pikojë, do të arrijë që zemrën të ta pastrojë, e në shpirt plaga që hapet, do të bëjë që kohën do ta vlerësojë. Sërish ua jep nga një lule atyre që me gurë të godasin, i miri vetëm mirësinë e përhap në mesin ku jeton. Plaga pushon kur të pushojnë dhimbjet, kurse atë që e le në zemër vetëm dheu e merr.

Më e fortë se zemra e pastër as hekuri nuk është, ndërsa lumturinë e shijon vetëm zemra që fal. Nëse jeta të duket shkretëtirë, të mjafton edhe një pikë ujë syri për ta mbajtur të gjallë, vetëm se nevojitet që brumi të jetë nga besimi që lulëzon kur ujitet. Në zemër fut paqe që t’i shohësh mrekullitë në jetë, por kur amshueshmëria i zgjati duart për të ta rrëmbyer gëzimin, ta dhuroji sprovën për ta ndier qetësinë.

Blerim Muhaxheri

Burimi: albislam.com