Home \ ZGJODHËM PËR JU \ Hadith i bukur. Ebu Rafiu po e lendonte shume Profetin (salAllahu alejhi ue selem)…

Hadith i bukur. Ebu Rafiu po e lendonte shume Profetin (salAllahu alejhi ue selem)…

Berau (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) çoi disa burra nga ensarët për të vrarë çifutin Ebu Rafi dhe caktoi komandant të tyre Abdullah Ibn Atikun. Ebu Rafiu po e lëndonte shumë të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) dhe i ndihmonte armiqtë kundër tij. Ai jetonte në kalanë e tij në tokën e Hixhazit. Kur ata burra iu afruan kalasë së tij, pasi kishte perënduar dielli dhe njerëzit i kishin kthyer bagëtitë e tyre në shtëpi.
Abdullah Ibn Atiku u tha shokëve të tij: “Uluni në vendet tuaja, ndërsa unë do të përpiqem t’i bëj ndonjë dredhi rojes së portës që të mund të hyj brenda.” Kështu, Abdullahu eci drejt kalasë dhe kur iu afrua portës, u mbulua i tëri me rrobat e veta duke u shtirur sikur po kryente nevojën. Njerëzit kishin hyrë brenda dhe portieri (duke e kujtuar atë si ndonjë shërbëtor të kalasë) i thirri atij: “O rob i Allahut! Në qoftë se dëshiron të hysh brenda, eja, sepse dua të mbyll portën.”
Më pas Berau tregon se Abdullahu i ka rrëfyerr: “Kështu, unë hyra brenda në kala dhe u fsheha. Kur njerëzit hynë brenda, portieri e kyçi derën dhe i vari çelësat në një shtyllë druri. Unë u ngrita e mora çelësat dhe e hapa portën. Disa njerëz po rrinin vonë me Ebu Rafiun për ndonjë bisedë nate në një nga dhomat e tij. Kur shokët e tij të zbavitjes së natës u larguan, unë u ngjita lart drejt tij. Çdo derë që hapja e mbyllja nga brenda. Thashë me vete: “Edhe nëse këta njerëz më zbulojmë, ata nuk do të munden të më kapin, derisa unë ta kem vrarë atë.” Kështu, mbërrita deri tek ai dhe e gjeta që po flinte në një vend të errët ndërmjet familjes së tij, por nuk po e dalloja dot në ç’vend të shtëpisë ishte, kështu që i thirra: “O Ebu Rafi!” Ai u dëgjua: “Kush është?” Unë bëra përpara në drejtim të zërit dhe e qëllova me shpatë, por për shkak të hutimit tim nuk munda ta vras. Ai thirri me zë të lartë, ndërsa unë dola jashtë nga shtëpia dhe prita pak pastaj u ktheva përsëri tek ai dhe i thashë: “Ç’është ky zë, o Ebu Rafi?” Ai foli fjalë fyese dhe tha: “Dikush në shtëpinë time sapo më ka qëlluar me shpatë!” Unë përsëri e qëllova fort, por nuk e vrava dot. Pastaj ia ngula majën e shpatës në bark dhe ia rrasa derisa i preku kurrizin. Në këtë mënyrë u binda se e kisha vrarë. Pastaj hapa dyert një nga një derisa arrita te shkallët. Duke menduar se kisha zbritur në tokë, hodha hapin përpara, kur ja, rashë dhe theva këmbën në një natë me hënë! E lidha këmbën me copën e çallmës dhe eca derisa u ula tek porta. Thashë me vete: “Nuk do të dal jashtë sonte derisa ta marr vesh mirë se e kam vrarë atë.” Kështu herët në mëngjes kur këndoi gjeli, lajmëruesi i fatkeqësisë u ngjit në mur duke thirrur: “Ju njoftoj vdekjen e Ebu Rafiut, tregtarit të Hixhazit.” Fill pas kësaj shkova te shokët e mi dhe u thashë: “Le të ikim të shpëtojmë sepse Allahu e vrau Ebu Rafiun. Kështu, unë (dhe shokët e mi vazhduam rrugën dhe) mbërritëm te Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) dhe ia tregova të gjithë ndodhinë. Ai më tha: “Shtrije këmbën”. Unë e shtriva atë dhe ndërsa ai ma fërkoi, ajo m’u bë fare mirë sikur të mos më kishte dhembur kurrë më parë!” {Buhariu, 4039}