Home \ Ahlak \ KËRKIMI I DIJES

KËRKIMI I DIJES

  1. Dija fetare është jetë për zemrat dhe shpirtrat, dritë për sytë, kopsht për mendjet, udhëzim që me të ndriçohet ibadeti dhe rregullat ndërnjerëzore.

Dija fetare është peshorja e robit që me të i mat bindjet, fjalët, veprat, gjendjet dhe të gjitha çështjet e tjera të tij.

Prej nga mundet njeriu që ta dallojë të vërtetën nga e kota, devijimin nga udhëzimi, sinqeritetin nga gënjeshtra, fenë dhe ligjet e Allahut nga fetë e tjera, nëse nuk do të ishte dija fetare?

  1. Nevoja e njerëzve për mësimin e dispozitave të fesë, kërkimin e dijes fetare, njohjen e hallallit dhe haramit është më e madhe sesa nevoja e tyre për ushqim dhe pije.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për dijen njerëzit kanë më shumë nevojë sesa që kanë për ushqimin dhe pijen, sepse për ushqim dhe pije njeriu ka nevojë një ose dy herë në ditë, kurse për dijen nevoja e tij është si për frymëmarrjen.”[1]

  1. Dija është trashëgimia e profetëve.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve. Pejgamberët nuk lanë për trashëgimi dinarin dhe dërhemin, por e lanë trashëgimi dijen. Prandaj kush e merr atë, le ta marrë hisen më të madhe (dhe mos të kënaqet me pak).”[2]

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo që u përmend në hadith është virtyti më i madh i dijetarëve. Pejgamberët janë krijesat më të mira të Allahut dhe kjo i bën që edhe trashëgimtarët e tyre të jenë krijesat më të mira të Allahut pas tyre.

Çdonjëri që ka trashëgimi pas vdekjes së tij ajo i mbetet dhe u shpërndahet trashëgimtarëve të tij. Ata janë që e trashëgojnë dhe kujdesen për të pas tij. Pas pejgamberëve, amanetin e thirrjes në fenë e Allahut mbi supet e tyre e morën dijetarët, prandaj ata janë më meritorët për trashëgiminë e pejgamberëve.

Ky është një sinjal që dijetarët janë njerëzit më të afërt të pejgamberëve dhe trashëgiminë e trashëgojnë njerëzit më të afërt të trashëgimtarit.”[3]

  1. Dija është rrugë për të hyrë në Xhenet.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e merr rrugën e kërkimit të dijes, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet.”[4]

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Marrja e rrugës për të kërkuar dije në dynja e kënaq Zotin e si shpërblim kërkuesit të dijes ia lehtëson rrugën për në Xhenet.”[5]

  1. Allahu, melekët, banorët e qiejve dhe të tokës luten për atë që ua mëson njerëzve mirësinë.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu, melekët e Tij, banorët e qiejve dhe të tokës, derisa edhe milingona në strofkën e saj, po edhe balena, luten për atë që ua mëson njerëzve mirësinë.”[6]

Ai që ua mëson njerëzve mirësinë “pasi që mësimet e tij u bënë sebep për shpëtimin, lumturinë dhe pastrimin e shpirtrave të tyre, Allahu e shpërbleu sipas llojit të veprës së tij, duke e bërë lutjen e Allahut, lutjen e melekëve dhe banorëve të tokës sebep për suksesin, lumturinë dhe shpëtimin e tij.

Po ashtu, ai që njerëzve ua mëson mirësinë, pasi që e manifeston fenë e Allahut dhe dispozitat e Tij, ua shpjegon njerëzve emrat dhe cilësitë e Allahut, si shpërblim për të Allahu e bëri që lutja e Tij dhe lutjet e banorëve të qiejve dhe të tokës të jenë mburrje dhe nder për të, lavdërim dhe ngritje e namit të tij te banorët e qiejve dhe të tokës.”[7]

  1. Melekët i shtrijnë flatrat e tyre për kërkuesin e dijes.

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Melekët i lëshojnë flatrat e tyre për kërkuesin e dijes, nga kënaqësia për shkak të veprimit të tij. Për dijetarin kërkojnë falje çfarë ka në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit karshi adhuruesit është si vlera e hënës karshi planetëve të tjerë.”[8]

Po të ishte ky privilegj i vetmi privilegj për kërkuesin e dijes, do t’i mjaftonte atij për nder dhe meritë. Melekët i shtrijnë flatrat e tyre për kërkuesin e dijes “në shenjë modestie, respekti dhe nderi për dijen që e bartin dhe e kërkojnë, e cila është nga trashëgimia e pejgamberëve. Kjo vepër e melekëve buron nga dashuria dhe respekti që e kanë për kërkuesin e dijes, prandaj edhe i shtrijnë flatrat për të, sepse ai është në rrugën e kërkimit të dijes, e cila është jeta e botës dhe shpëtimi i saj.”[9]

Prandaj Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Për të dijshmin që punon me dijen e tij dhe atë ua mëson të tjerëve, thirret: “O i madh në Ditën e Kiametit.”[10]

  1. Dija është rrugë që kërkuesin e saj e bën pjesëmarrës në mesin e atyre që dëshmojnë për të vërtetën (e cila është njëshmëria e Zotit – sh.p.).

Allahu thotë. “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë…” (Ali Imran: 18)

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet dëshmon për vlerën e dijes dhe të dijetarëve. Po të ishte ndokush me vlerë më të madhe se dijetarët, Allahu do ta përmendte atë në ajet paralel me Veten dhe melekët e Tij, siç i përmendi dijetarët.”[11]

  1. Sikur të kishte diçka më të vlefshme se dijenia, Allahu do ta urdhëronte Pejgamberin e Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që të kërkonte nga Allahu t’ia shtonte atë. Mirëpo urdhri i Allahut ishte i qartë, që ta kërkojë vetëm shtimin e dijenisë. Allahu thotë: “… “O Zoti im, shtoma dijeninë!” (Ta Ha: 114)[12]

Sufjan ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk ndalej së kërkuari shtimin e dijenisë, derisa Allahu ia mori shpirtin.”[13]

  1. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nga Allahu e kërkonte dijen e dobishme. Prej lutjeve të tij ishte: “O Zoti im, atë që ma mësove bëje të dobishme për mua, mësoma atë që është e dobishme për mua dhe ma shto dijeninë.”[14]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi e falte namazin (farzin) e sabahut, pasi jepte selam, thoshte: “O Zoti im, kërkoj nga Ti të ma japësh dijen e dobishme, riskun e mirë (hallall) dhe pranimin e punëve (të mira).”[15]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kërkonte mbrojtje tek Allahu nga dija e padobishme. Prej lutjeve të tij ishte: “O Zoti im, unë kërkoj mbrojtje te Ti nga dija e padobishme, nga zemra e cila nuk ndien përulje, nga shpirti i cili nuk ngopet (nuk kënaqet me atë që e posedon), dhe nga lutja e cila nuk pranohet.”[16]

Dija e dobishme është ajo dije që myslimanit i mëson për Zotin dhe fenë e tij, ia mëson citatet e Kuranit dhe Sunetit, ia pastron shpirtin, ia jep si fryt veprën dhe i ndihmon për në çështjet e dynjasë.

  1. Allahu do t’i ngrejë dijetarët në shkallë të lartë në dynja dhe ahiret.

Allahu thotë: “…se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija…” (El-Muxhadile: 11)

“Do të thotë: do t’i ngrejë me shpërblim në botën tjetër dhe me respekt në dynja. Do ta ngrejë besimtarin karshi atij që nuk është besimtar dhe dijetarin karshi atij që nuk është dijetar. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë që Allahu në këtë ajet i lavdëroi dijetarët. Kuptimi i ajetit është që Allahu do t’i ngrejë ‘në shkallë të lartë’ dijetarët sipër atyre që besojnë dhe që nuk iu dha dija; d.m.th. në shkallë të lartë në fenë e tyre, nëse ata punojnë me atë që janë urdhëruar.”[17]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu i ngre me këtë Libër (Kuranin) disa popuj, dhe i ul me këtë Libër disa të tjerë.”[18]

  1. Dija është nga veprat dobiprurëse që shpërblimi i saj mbetet pas vdekjes së njeriut deri në Ditën e Kiametit. Në shpërblim janë të përbashkët dijetari dhe ai që e merr dijen.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet (shpërblimi nga) puna, përveç tri gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.”[19]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush udhëzon për në mirësi, e merr shpërblimin si të atij që e punon atë mirësi.”[20]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush thërret për në udhëzim, merr shpërblim si shpërblimet e atyre që e kanë ndjekur, duke mos iu pakësuar atyre aspak shpërblimet.”[21]

  1. Allahu thotë: “…andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).” (En-Nahl: 43)

Allahu në ajet urdhëroi që t’i pyesim dijetarët për atë që nuk kemi dijeni “dhe t’u kthehemi fjalëve të tyre. Këtë e llogariti si dëshmi prej tyre.”[22]

  1. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson fikhun (kuptimin) e fesë.”[23]

“Andaj atij që nuk ia mundëson fikhun e fesë, nuk ia do të mirën. Kurse atij që ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë, e atij që ia mundëson ta kuptojë fenë e Tij, me të vërtetë ia do të mirën. Fikhu (kuptimi) i fesë këtu nënkupton dijen që e bën të domosdoshme punën.”[24]

  1. Dija fetare që kërkohet shkaku i vlerës së saj dhe që argumentet e Kuranit dhe Sunetit nxisin të mësohet dhe t’iu mësohet të tjerëve është dija e Kuranit dhe Sunetit, mësimi dhe kuptimi i citateve të tyre, njohja e çështjeve të fesë të domosdoshme që duhet t’i dijë myslimani për adhurimin e Zotit të tij dhe rregullat ndërnjerëzore, njohja e Allahut, e emrave dhe cilësive të Tij, si: shkenca e tefsirit, teuhidit, hadithit dhe fikhut.

Bën pjesë këtu edhe çdo gjë që përdoret si mjet dhe ndihmon për t’i kuptuar këto shkenca, si: shkencat e gjuhës, usuli i fikhut (bazat e jurisprudencës islame), terminologjisë së hadithit dhe të ngjashmet me to.

  1. Kërkimi i diturisë është detyrim në përgjithësi.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kërkimi i dijes është detyrim për çdo mysliman.”[25]

Dija nuk është njëlloj, ka dije që mësimi i saj është detyrim individual për çdo mysliman dhe çdo myslimane dhe ka dije që mësimi i saj është detyrim kolektiv.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dija fetare ndahet në tri degë:

Dega e parë: Dija fetare që mësimi i saj është detyrim individual; vepra  pa të cilën nuk plotësohet vaxhibi (obligimi), përveçse me të, ajo (gjë) është vaxhib (obligim) dhe obligohet të mësohet, si: mënyra e marrjes së abdesit, mënyra e faljes së namazit etj.

Dega e dytë: Dija fetare që mësimi i saj është detyrim kolektiv; është ajo dije që arritja e saj iu duhet patjetër njerëzve për ta ngritur fenë e tyre, si: mësimi përmendsh i Kuranit, mësimi i haditheve, mësimi i shkencave të Kuranit dhe hadithit, mësimi i usuli fikhut, mësimi i fikhut, mësimi i gjuhës.

Dega e tretë: Dija fetare që mësimi i saj është vullnetar, si: studimi i hollësishëm i bazave të argumenteve, mësimi i ibadeteve vullnetare një të padituri.”[26]

  1. Kush dëshiron ta përforcojë dijen, duhet të kujdeset që t’i mësojë bazat e çdo fushe nga fushat që i interesojnë. Kush nuk i mëson bazat e shkencës (që i intereson), do të privohet të arrijë deri në njohjen e asaj fushe.
  2. Në fillim të kërkimit të dijes me rëndësi është që në çdo fushë të dijes të fillohet me libra që janë të përmbledhur shkurtimisht. Ato duhet që të lexohen dhe të mësohen me njerëz të dijes që e zotërojnë atë fushë të dijes. Kërkuesi i dijes pa i përsosur dhe zotëruar këta libra, nuk duhet ta angazhojë veten me libra të mëdhenj.

Kërkuesi i dijes duhet gradualisht të ngjitet shkallëve të dijes, duke filluar me librat e përmbledhur shkurtimisht, si: me ‘Dyzet hadithet e imam Neveviut’ në lëmin e hadithit, ‘Zadul Musteknia’ në fikhun e medh’hebit hanbelij[27], ‘El-Varakat’ në usuli fikh etj.

  1. Ajo që e veçon librin e përmbledhur shkurtimisht është se nxënësit ia afron kuptimin e kaptinave të shkencës që e lexon, meseletë në libër më lehtë i mëson dhe nuk i harron, i ndihmon që t’i kujtohen meseletë më shpejt, i ndihmon që të formojë një pamje të përgjithshme për njohuritë e shkencës që i mëson, e ushtron nxënësin të formojë aftësi mendore që zakonisht nuk gjendet te nxënësit e tjerë.
  2. E rëndësishme për kërkuesin e dijes është ngjitja në shkallët e dijes me konsekuencë, të fillojë nga e vogla për kah e madhja, nga e lehta për kah e vështira. Dijen ta marrë gradualisht, njëherit të fillojë me pak, pastaj sipas takatit të tij me kalimin e ditëve të shtojë nga dija më shumë. Nuk duhet që të mashtrohet nga euforia dhe të fillojë me libra të mëdhenj ose të fillojë me leximin e shumë librave, ose ta angazhojë veten me mesele të mëdha dhe me çështje ku dijetarët kanë mospajtime mes vete, e me kalimin e ditëve kjo ta dobësojë, të bjerë në ambicie ose t’i pakësohet ajo.

Një ndër porositë e bukura është porosia e imam Ibën Shihab Ez-Zuhrit për Junus ibën Jezid, Allahu i mëshiroftë, i cili i tha: “Mos e merr dijen me të madhe, sepse dija është e gjerë dhe është lugina. Cilëndo luginë ta synosh, nuk mund ta përthekosh. Prandaj, dijen merre gradualisht me kohë, me kalimin e ditëve dhe të netëve. Mos e merr dijen përnjëherë, sepse kush e kërkon marrjen e saj përnjëherë, do të ikën prej saj përnjëherë. Andaj, ngjitu shkallëve të dijes pak nga pak, për çdo ditë e natë.”[28]

  1. Kërkuesi i dijes duhet t’u japë prioritet fushave të dijes që janë më meritore për t’iu dhënë prioritet; të fillojë me mësimin e Kuranit përmendsh ose një pjese të tij, pastaj me mësimin e teuhidit, çështjeve që janë detyrim individual të mësohen duhet t’u japë prioritet para atyre që janë detyrim kolektiv dhe vullnetar. Nuk duhet ta humbë kohën e tij në gjëra që nuk i bëjnë dobi dhe nuk përfiton nga to.
  2. Nga mendjemprehtësia dhe largpamësia në kërkimin e dijes është përsosja e mjeteve në çdo fushë të dijes dhe përpjekja për plotësimin e aftësisë mendore. Kjo arrihet kur kërkuesi i dijes e mëson mirë shkencën që e studion, derisa i zotëron meseletë, bazat dhe qëllimet e saj dhe i plotëson mjetet e saj sipas fuqisë dhe mundit të tij.

Allahu thotë: “Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur….” (El-Bekare: 121)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur ndonjëri prej jush ta punojë ndonjë punë, Allahu do që ai ta zotërojë atë punë.”[29]

  1. Me rëndësi për kërkuesin e dijes është që dijen ta marrë nga dijetarët si dhe me rëndësi është që të ketë ekuilibër në mes të marrjes së dijes nga dijetarët dhe marrjes së dijes nga librat. Duhet të përkujdeset që librat e fushës që i mëson të jenë të saktë dhe botime të drejta, ndërsa për meseletë e paqarta dhe që nuk i kupton duhet t’u kthehet dijetarëve (ose librin ta lexojë dhe mësojë së bashku me dijetarët).
  2. Me rëndësi për kërkuesin e dijes është ekuilibri në mes kuptimit dhe mësimit përmendsh.

Mësimi përmendsh (hifzi) është kapitali i kërkuesit të dijes, por ai nuk i bën dobi përveç atij që kupton, prandaj bashkimi në mes hifzit dhe kuptimit është i domosdoshëm. Çdonjëri e ndihmon tjetrin, kuptimi e ndihmon mësimin përmendsh dhe mësimi përmendsh e ndihmon kuptimin.

  1. Nga largpamësia në kërkimin e dijes është ruajtja e dijes, të mësuarit përmendsh, të mësuarit bashkë me dikë tjetër, përsëritja e asaj që është mësuar përmendsh, herë me përsëritje ndër mend, e herë me letër dhe me laps.
  2. Më e rëndësishmja në kërkimin e dijes është përkujdesja për të punuar me dije. Dija e dobishme është ajo që si fryt e jep punën, përndryshe dija pa punë është argument kundër njeriut, ashtu siç Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kurani do të jetë ose argument për ty, ose kundër teje.”[30]

Allahu i qorton ashpër ata që nuk punojnë me dije dhe thotë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!” (Es-Saf: 2-3)

Dhe thotë: “Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni Shkrimet?! A nuk arsyetoni?” (El-Bekare: 44)

Shuajbi, alejhi selam, popullit të vet i tha: “…Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve…” (Hud: 88)

Dija është pema dhe puna është fryti. Dija është prindi dhe puna është fëmija. Nuk llogaritet dijetar ai që nuk punon me dijen e tij.

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Nuk është dija duke mësuar shumë hadithe, por dija është duke i pasur frikërespekt Allahut.”[31]

Muhamed ibën El-Munkedir, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dija i brohorit punës, kërkon t’i përgjigjet, përndryshe ajo ikën.”[32]

Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Ai që njerëzve ua tejkalon me dijen e tij, më meritor është që t’i tejkalojë edhe me punën e tij.”[33]

E pyetën njërin për një mesele dhe u përgjigj: “Kur ushtari dëshiron të dalë në luftë, a nuk i mbledh mjetet e luftës? E nëse ushtarit jeta i kalon në mbledhjen e mjeteve, kur do të dalë të luftojë? Dija është mjeti i punës, e nëse jetën e harxhon në marrjen e dijes, kur do të punosh?”[34]

  1. E rëndësishme në kërkimin e dijes është përkujdesja për pastrimin e shpirtit. Kërkuesi i dijes duhet ta pastrojë shpirtin dhe zemrën e tij nga mëkatet, gjynahet dhe morali i keq. Në anën tjetër duhet ta ngrejë dhe ta zhvillojë shpirtin dhe zemrën e tij me punë të mira dhe moral të lavdëruar.
  2. Nga edukata e kërkimit të dijes është sinqeriteti me Allahun, frika ndaj Allahut, të kërkuarit e vazhdueshëm të ndihmës nga Allahu, stolisja me virtyte të larta, modestia me mësuesin dhe shokët, ambiciet e larta dhe vendosmëria e prerë, durimi gjatë vështirësive në kërkimin e dijes, serioziteti dhe këmbëngulja, përkujdesja për paraqitjen e jashtme, puna me dije, respektimi dhe nderimi i mësuesit, parashtrimi i pyetjeve me edukatë, lutja për mësuesin gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij, përkujdesja për shenjtërinë e librave të dijes.
  3. Kërkuesi i dijes duhet të ketë kujdes nga zararet dhe pengesat në rrugën e kërkimit të dijes, ndër to: syefaqësia, mendjemadhësia dhe vetëmahnitja, smira, mendimi i keq, sjellja e keqe, heqja e vetes për dijetar duke pretenduar që ka dije për diçka që nuk e njeh, dëshira për paraqitje, marrja me çështje para aftësimit, ngutja, vyshkja dhe dembelia, diskutimet e shumta, fanatizmi për një dijetar ose mendim.
  4. Kërkuesi i dijes në maksimum duhet t’i shfrytëzojë thesaret e mëdha të teknologjisë bashkëkohore. Sot kjo është domosdoshmëri e kohës, duke filluar nga rrjeti i internetit, mjetet e lidhjes telefonike bashkëkohore, tableta kompjuterikë, rrjetet sociale, faqet dhe burimet e ndryshme të informimit, arritja dhe ruajtja e lehtë e informacioneve dhe shpërndarja e tyre.

Kërkuesi i dijes nuk duhet t’i anashkalojë të gjitha këto mundësi, ai duhet ta marrë të mirën dhe ta shfrytëzojë të dobishmen e saj, duke pasur kujdes nga e keqja dhe dëmet e saj. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja  e Allahut qofshin për të, thotë: “Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut dhe mos u ndal.”[35]

  1. Nuk ka pengesë që dija të kërkohet në shkollat, akademitë dhe universitetet online nëpërmjet internetit. Kjo mënyrë e marrjes së dijes e ruan kohën, mundin, pasurinë dhe të ofron informacione. I suksesshëm është ai që Allahu ia jep suksesin atij.

 

E lusim Allahun të na e japë dijen e dobishme, punën e mirë dhe të na japë sukses në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

[1] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/61).

[2] Ebu Davud (3641), Tirmidhiu (2682), Ibën Maxheh (223), Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib, Albani (70).

[3] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/66).

[4] Muslimi (2699).

[5] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/63).

[6] Shënon Tirmidhiu (2685), hadithi gjendet edhe në Et-Tergib ue Et-Terhib (81).

[7] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/63).

[8] Ebu Davud (3641), Tirmidhiu (2682), Ibën Maxheh (223), Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib, Albani (70).

[9] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/36).

[10] Tirmidhiu (5/50).

[11] Tefsir Kurtubiu (4/41).

[12] Tefsir Kurtubiu (4/41).

[13] Tefsir Ibën Kethir (5/319).

[14] Tirmidhiu (3599), Ibën Maxhe (251), shejh Albani e saktësoi.

[15] Ibën Maxhe 925), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mire.

[16] Muslimi (2722).

[17] Tefsir Kurtubiu (17/299).

[18] Muslimi (817).

[19] Muslimi (1631).

[20] Muslimi (1893).

[21] Muslimi (2673).

[22] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/49).

[23] Buhariu (71), Muslimi (1037).

[24] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajim (1/60).

[25] Ibën Maxhe (224), hadithin e vlerësoi të dobët imam Ahmedi dhe të tjerët, e disa të tjerë bashkëkohorë e vlerësuan si të saktë.

[26] El-Mexhmua sherh El-Muhedhib (1/24).

[27] Te ne kërkuesi i dijes mundet të fillojë me ndonjë libër të shkurtër të medh’hebit hanefij dhe ta mësojë me hoxhallarët. (sh.p.)

[28] Xhamiu bejanul Ilmi, Ibën Abdulber (1/431).

[29] Bejhakiu në Shuab El-Iman (4/334), shejh Albani e vlerësoi si të mire në Sahih El-Xhami’ (1880).

[30] Muslimi (223).

[31] Ez-Zuhd, imam Ahmedi (fq.158).

[32] Iktida El-Ilmu El-Amele, Hatib El-Bagdadij (41).

[33] Xhamiu bejanul Ilmi, Ibën Abdulber (2/23).

[34] Hiljetul Evlija, Ebu Nuajm (7/341).

[35] Muslimi (2664).

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”