Home \ Ahlak \ MJETET QË NDIHMOJNË NË LARGIMIN E MËRZISË (2)

MJETET QË NDIHMOJNË NË LARGIMIN E MËRZISË (2)

5.Kryerja e nevojave apo shërbimeve të njerëzve

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, nuk ndjente neveri të ecë me të vejat dhe të mjerët dhe t’i kryen nevojat e tyre dhe të jetë në shërbim të tyre.

Hakim ibën Hizami, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Nuk ka ditë që jam gdhirë në të dhe te dera ime nuk kam gjetur nevojtar vetëm se e kam ditur se kjo është nga fatkeqësitë për të cilën kërkoj nga Allahu shpërblim.”

Muhamed ibën Abdulvahid ez-Zahid, Allahu e mëshiroftë!, tha: “Braktisja e të drejtave të vëllezërve myslimanë është nënçmim, kurse kryerja e nevojave dhe të qenurit në shërbim të tyre është krenari, andaj falënderoni Allahun për të dhe nxitoni t’i kryeni nevojat e nevojtarëve.”

Ecte Bakiju ibën Mehled, Allahu e mëshiroftë!, me të dobëtin nëpër errësirë në Ishbilija , me tjetrin shkonte deri në Ilbijrah dhe me gruan e mjerë dhe të dobët në Xhejan , që t’i kryen nevojat e tyre.

I ndihmonte njerëzit dhe ishte në shërbim të tyre edhe përskaj adhurimeve të shumta, nxënësve të dijes që ishin numër të madh dhe merrnin prej tij dituri, dhe angazhimit të tij në kërkimin e diturisë dhe shkrimit të librave.

6.Vizita e njëri-tjetrit

Vizita e të sëmurit kur sëmuret dhe vizita e vëllezërve myslimanë gjatë kohërave të lira ka ndikim të madh në largimin e mërzisë dhe në shtimin e dashurisë dhe miqësisë.

7.Të kuptuarit e mentaliteteve

Shpirti i njeriut është si deti, mes veti shpirtrat dallojnë me dallimin e njerëzve, atë që e dëshiron njëri nuk i përshtatet tjetrit.

Të vërtetën e tha Shebib ibën Shejbe, Allahu e mëshiroftë!, kur tha: “Mos u ul me dikë që nuk i përshtatesh atij, nëse dëshiron ta takosh injorantin me dije, të shkujdesurin me njohuri, të paaftin me argument, ke për ta dëmtuar atë që ulesh me të.”

Hasan ibën Seid el-Mehzumij, Allahu e mëshiroftë!, kur dëshiroi të ndërton xhami, i erdhi një grua me një petk që dëshironte t’ia shet dhe ato të holla t’i jep për ndërtimin e xhamisë. Petku vlerën reale e kishte jo më shumë se gjysmë dinari, mirëpo që t’ia kënaqë zemrën dhe t’ia qetësojë shpirtin, e bleu petkun e saj për një mijë dinarë dhe e ruajti atë petk si qefin për të.

8.Fshehja e meritës dhe bamirësisë gjatë qetësimit të shpirtit

El Ka’kaë ibën Shevrin, Allahu e mëshiroftë!, kur i shkonte ndonjë njeri e ulej me të, i jepte pjesë nga pasuria e tij, i dilte në krah kundër armikut të tij, ndërmjetësonte për nevojat e tij dhe pas ndejës largohej prej tij duke e falënderuar.

Këto ishin disa nga mjetet që i qetësojnë shpirtrat dhe ndjenjat e njerëzve dhe e lus Allahun që të gjithëve të na bëjnë dobi!

Nuk duhet harruar se të gjithë, i sëmuri, i brengosuri, i pikëlluari, mjeku, punëtori, thirrësi, pasaniku, fukaraja, i moshuari, i riu, kanë nevojë për fjalë të mira, buzëqeshje që shkëlqen dhe sjellje të mirë. Të gjithë kemi nevojë për këto adhurime. Prandaj duhet të gjithë të mundohen ta ringjallin këtë adhurim te fëmijët, të mëdhenjtë, të sëmurët dhe të shëndoshët, te nxënësit dhe mësuesit, te dijetarët dhe injorantët, tek ai që ia qëlloi dhe tek ai që gaboi.

Fëmija kur të rritet ndoshta mund të bëhet dijetar dhe njeri me peshë dhe i dobishëm për umetin e tij dhe shkak të bëhet një fjalë stimuluese që e dëgjon prej mësuesit apo prej ndonjërit prej prindërve të vet.

Të sëmurin që e mundojnë dhembjet mund të shërohet dhe të shëndoshet me një fjalë stimuluese, lutje të mirë, buzëqeshje të sinqertë nga vizituesit.

Mëkatari dhe gjynahqari mund të përmirësohet dhe të drejtohet me një këshillë të bukur, rikujtim të dobishëm dhe udhëzim të drejtë.

Patjetër duhet të shfrytëzohet situata kur njeriu është më i dobët që ta lidhim me Allahun, sepse Allahu është shpresa dhe ngushëllimi për të thyerit dhe të dëshpëruarit dhe Allahu është Ai që e largon të keqen: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen.” (En-Neml: 62) Po ashtu, duhet rikujtuar të sprovuarve shpërblimin e madh që e marrin të sprovuarit ashtu siç erdhi në hadithin që e përcjellë Ebu Hurejre dhe Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Gjithçka që e godet myslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, brengë, pikëllim, dëm, mërzi, madje qoftë edhe një gjemb që e shpon, nëpërmjet tyre Allahu ia shlyen mëkatet.”

Sa njeriut gjendja e tij i ka ndryshuar dhe çështjet e tij janë përmirësuar për shkak të ndonjë sprove të dhembshme që e ka goditur dhe stimulimit të tyre për durim dhe përqendrim, madje kjo është detyrim, derisa të mos bëhen prej atyre që kur vijnë sprovat, krizat dhe erërat e fatkeqësive dhe sprovave i marrin dhe i bartin me vete.

E lus Allahun të na ruajë nga sprovat dhe fitnet që duken dhe nga ato që nuk duken dhe të na i bashkojë zemrat tona e të na pajtojë mes vete dhe të na bëjë prej të udhëzuarve dhe që i udhëzojnë të tjerët dhe jo prej të devijuarve dhe që i devijojnë të tjerët!

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë