Home \ Ahlak \ MOS FUT URREJTJE ME PYETJET E TUA

MOS FUT URREJTJE ME PYETJET E TUA

1. E pyeti njëra nga gratë shoqen e saj kur e lindi fëmijën:
Çfarë të dhuroi burri me lindjen e fëmijës?!
I tha:

Nuk më dhuroi gjë.

Sa është kjo logjike? Ti a nuk ke vlerë te burri yt? – ia ktheu ajo grua.

Me ato fjalë ajo e hodhi një bombë dhe u largua.

Burri i saj u kthye nga puna në mesditë dhe e gjeti gruan të zemëruar dhe u zënë mes vete dhe u fjalosën derisa erdhi çështja te divorci.

Prej nga erdhi problemi?!

Nga ajo fjalë që e tha ajo grua.

—————————————-

2. E pyeti njëri shokun dhe i tha:

E si po jetoni në këtë shtëpi, po çuditem me ju?! A është e mjaftueshme dhe e gjerë për ju?!

Kjo shtëpi për ne është e mjaftueshme dhe e gjerë, dhe ty kjo çështje nuk të intereson, – ia ktheu shoku.

Ky njeri do që të futë përçarje në shtëpi dhe t’i nxitë anëtarët e saj të zihen mes vete. Kjo është e ligë.

—————————————-

3. U takua me një djalosh të ri dhe të mrekullueshëm dhe i tha:

Ku punon?!

Në shitoren e filanit.

E sa të paguan?!

Më paguan kaq (dhe e përmendi shumën).

Ia ktheu:

Vetëm aq?

Ti si jeton me ato të holla?! Pronari i shitores e meriton mundin dhe djersën tënde.

Djaloshi filloi ta urrente punën dhe shkoi të kërkonte nga pronari rritjen e rrogës, u refuzua dhe e braktisi punën!

Ishte shumë mirë duke punuar, kurse tani mbeti pa punë.

—————————————-

4. E vërejti prindin se ishte i qetë e i lumtur dhe i tha:

Pse nuk po të viziton i biri shpesh?!

Ia ktheu:

Ka obligime brenda ditës dhe punon shumë.

E si po beson se nuk po ka kohë për ty që të të vizitojë?!

Kjo fjali e ndryshoi zemrën e prindit, filloi të ndiejë urrejtje pasi zemra e tij ndiente lumturi dhe kënaqësi.

—————————————-

Ne shpesh në përditshmërinë tonë i parashtrojmë disa pyetje (Pse nuk e ke blerë këtë?! Pse nuk e posedon këtë?! Si po e duron këtë person?! E si po e lejon një gjë të tillë?! etj.) dhe fare nuk mendojmë se si do të ndikojë ajo pyetje te tjetri dhe si do ta kuptojë ai, dhe nuk e dimë se çfarë përçojnë këtë pyetje në shpirtin e atij që i dëgjon?!

Ndoshta qëllimi ynë nuk është i keq apo atë e bëjmë nga padituria, mirëpo ajo më vonë bëhet sebep që të shkatërrohen jetë, familje dhe pasuri e shumë gjëra të tjera. Prandaj, ki kujdes, mos fut urrejtje në zemrat e njerëzve me pyetjet e tua!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU