Home \ Aktuale \ NAMAZI I XHUMASË

NAMAZI I XHUMASË

Allahu ka obliguar ditën e xhuma (të premte), në kohën e namazit të drekës, njërin prej riteve më madhështorë dhe më obligativ të Islamit. Në të muslimanët tubohen një herë në javë, dëgjojnë këshilla e orientime që i paraqet imami i xhumasë e më pas falin namazin e xhumasë.

Vlera e ditës së xhuma

Dita e xhuma është dita më e madhe, më e lartë dhe më e nderuar e javës. Këtë ditë Allahu e ka zgjedhur mbi ditët e tjera dhe e ka dalluar me disa veçori:

  • Këtë ditë Allahu ia dha në mënyrë të veçantë bashkësisë së pasuesve të Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Allahu ua përhumbi ditën e xhuma (të premte) atyre që kanë qenë para nesh. Kështu, hebrenjtë u prirën tek e shtuna, kurse të krishterët u prirën tek e diela. Pastaj Allahu na solli neve dhe na orientoi (mbarësoi) tek e premtja.” (Muslimi 856).
  • Ditën e xhuma (të premte) Allahu krijoi Ademin (Paqja qoftë mbi të!) dhe atë ditë do të bëjë kiametin (shkatërrimin e universit). Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është e xhumaja. Në të është krijuar Ademi, në të është futur në xhenet dhe në të është nxjerrë prej tij. Edhe Ora (momenti i kiametit) nuk ndodh përveçse në ditën e xhuma.” (Muslimi 854).

Për kë është detyrim namazi i xhumasë?

Namazi i xhumasë është detyrim për:

  1. Burrin 

Pra, nuk është detyrim për gruan.

  1. Mukelefin (Të përgjegjshmin)

Pra, nuk është detyrim për të çmendurin dhe të miturin që nuk ka arritur pubertetin.

  1. Rezidentin (Vendasin) 

Pra, nuk është detyrim për udhëtarin dhe atë që jeton në zonat e shkreta larg qyteteve e vendbanimeve.

Përshkrimi dhe dispozitat e namazit të xhumasë:

  1. Është mustehab (e pëlqyeshme) që muslimani të marrë gusël (lajë tërë trupin) para namazit të xhumasë, të shkojë herët në xhami para se të fillojë hytbja (ligjërata / predikimi i hoxhës) dhe të vishet me rrobat më të mira. 
  2. Muslimanët tubohen në xhami dhe atyre u prinë imami, i cili hipën në minber (podium me shkallë), u drejtohet të pranishmëve dhe u mban një hytbe (ligjëratë) në dy pjesë, të cilat i ndan me një ulje të shkurtër mes tyre. Në ligjëratë ai i kujton të pranishmit me frikën dhe madhërimin e Allahut, si dhe u predikon atyre orientime, këshilla dhe ajete kuranore.
  3. Është vaxhib (detyrim) që të pranishmit në xhami ta dëgjojnë me vëmendje hytben dhe të qëndrojnë të heshtur gjatë saj; pra gjatë kohës së hytbes ndalohen bisedat, të folurit dhe marrja me çdo gjë tjetër që të pengon nga përfitimi, qoftë edhe ngacmimi i sixhades a sendeve të tjera.
    Pastaj imami zbret nga minberi dhe pasi thirret ikameti ai e udhëheq namazin e personave që falen, duke falur dy rekate, ku këndon Kuran me zë të dëgjueshëm.
  4. Namazi i xhumasë bëhet legjitim vetëm me mbledhjen e një numër njerëzish në xhami. Ndërsa personi të cilit ikën xhumaja ose që nuk merr pjesë në të për ndonjë arsye të ligjshme, në vend të xhumasë duhet të falë drekën, sepse tanimë namazi i xhumasë nuk i merret në konsideratë atij.
  5. Kush shkon me vonesë në xhami për namazin e xhumasë dhe arrin me imamin më pak se një rekat, duhet ta plotësojë namazin si namaz dreke. 
  6. Të gjithë personat që nuk e kanë detyrim faljen e namazit të xhumasë, siç janë gratë, udhëtarët etj., por që e falin atë bashkë me xhematin (bashkësinë) e muslimanëve, namazi u llogaritet i vlefshëm dhe nuk e kanë më për detyrë që të falin namazin e drekës.

Kush është i justifikuar në rast mospjesëmarrje në namazin e xhumasë:

Sheriati (Ligji islam) e thekson domosdoshmërinë për të marrë pjesë në xhami për namazin e xhumasë për ata që e kanë detyrë, ashtu sikundër e ndalon të merresh me punë të tjera të kësaj bote në kohën e namazit të xhumasë. I Lartmadhëruari ka thënë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe ndaloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumu‘a: 9).

Në të njëjtën kohë, sheriati paralajmëron se do t’i vuloset zemra (do të lihet në humbje) atij që e lë namazin e xhumasë pa një arsye të ligjshme. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Atij që lë (pa falur) tri xhuma nga neglizhenca dhe pa arsye, Allahu do t’ia vulosë zemrën [do ta pengojë atë prej mirësive, mbarësive dhe udhëzimit të Tij].” (Ebu Daudi 1052, Ahmedi 15498) Kuptimi “do t’ia vulosë zemrën” është se do t’ia vulosë e mbulojë zemrën me mbulesë dhe do të bëjë që në të të zërë vend injoranca dhe ashpërsia, njëlloj si zemrat e hipokritëve dhe të pabindurve.

Arsyeja lejuese për të lënë namazin e xhumasë: është çdo rrethanë që të vë në gjendje vështirësie serioze e të pazakontë, ose prej të cilës frikësohesh se ke për të pësuar një dëm shumë të madh në jetën dhe shëndetin tënd.

A konsiderohet orari i punës dhe profesioni arsye për të lënë namazin e xhumasë?

Si princip, punët dhe angazhimet e vazhdueshme nuk janë arsye që myslimani të lërë namazin e xhumasë. Allahu i Lartësuar na urdhëron t’i lëmë punët dhe t’i kushtohemi namazit të xhumasë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe ndaloni tregtinë.” (El-Xhumu‘a: 9). Muslimani duhet të zgjedhë ato profesione që ia mundësojnë kryerjen e riteve fetare edhe pse të ardhurat e tyre materiale mund të jenë më të pakta sesa të tjerat.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk (furnizim) prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Et-Talak: 2-3).

Kur konsiderohet puna arsye për të lënë namazin e xhumasë? 

Puna e vazhdueshme dhe e përditshme nuk konsiderohet arsye për të lënë namazin e xhumasë për ata që e kanë detyrim, veçse në dy raste:

  1. Kur puna e bërë realizon një dobi madhore, e cila nuk realizohet vetëmse duke qëndruar në punë pa u shkëputur për namazin e xhumasë; lënia e vendit të punës nga ana e punëmarrësit shkakton dëm serioz dhe punonjësin nuk ka kush ta zëvëndësojë në këtë punë.

Shembuj:

  • Mjeku i urgjencës i cili trajton gjendjet dhe rastet urgjente.
  • Roja dhe polici që ruan pasuritë dhe shtëpitë e njerëzve nga vjedhja dhe aktet kriminale. 
  • Ai që merret me mbikëqyrjen e punëve në fabrikat e mëdha e të ngjashme me to, e që duhet ta ndjekë punën në çdo çast.
  1. Kur kjo punë është i vetmi burim fitimi për personin dhe ai nuk ka të ardhura të tjera që ia mbulojnë shpenzimet e domosdoshme për të ushqyer e mbathur veten dhe familjen e tij. Në këtë rast personit i lejohet të qëndrojë në punë e të lërë namazin e xhumasë nga halli, derisa të gjejë një punë tjetër apo ushqim e veshmbathje që i mjaftojnë atij dhe familjes së tij. Megjithatë, në këtë rast njeriu duhet të kërkojë vazhdimisht për një punë dhe burim tjetër fitimi.