Home \ KESHILLA \ NJË DUA RAMAZANI E HARRUAR NË MESIN TONË

NJË DUA RAMAZANI E HARRUAR NË MESIN TONË

Ubadeh b. Samiti radiallahu anhu tregon se kur vinte muaji Ramazan, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem na mësonte këtë lutje: Allahumme sel-limni min Ramedane, ve sel-lim Ramedane li, ve tesel-lemhu minni mutekabbelen (O Allahu im! Më ruaj për Ramazan dhe bëma të mundshëm Ramazanin si dhe merre atë nga unë të pranuar!)”.

Këtë hadith e transmetojnë Imam Taberaniu në veprën “El-Dua”, hadithi numër 912 dhe Imam Abdulgani Makdisiu në veprën “Ehbaru’s-salat”, transmetimi numër 128. Imam Muteki Hindiu në “Kenzu’l-umal” pasi e shënon këtë transmetim në numrin rendor 24277, thotë se këtë dua e transmetojnë Imam Taberaniu në “El-Dua” dhe Imam Dejlemiu në “El-Firdeus” dhe se senedi i këtij transmetimi është i mirë (hasen).

Po ashtu kjo lutje transmetohet edhe si lutje e disa dijetarëve të brezave të hershëm të Islamit. Imam Taberaniu në veprën “El-Dua” në transmetimin me numër 913 ka regjisturar se, kjo lutje ka qenë edhe lutja e Mekhulit rahimehullah edhe atë gjatë muajit Ramazan. Imam Ebu Nuajm Isfahaniu në faqen 69 të vëllimit III, të librit “Hiljetu’l-Eulija” transmeton se Jahja b. Ebi Kethiri rahimehullah lutej me këtë lutje edhe atë kur afrohej muaji Ramazan.

Sa i përket kuptimit të këtij transmetimi, atë më së miri na shpjegon Imam Ibën Ethiri në faqen 800, të vëllimit I, të veprës së tij të famshme “El-Nihajeh”, ku thotë: Fjalia “më ruaj për Ramazan” ka kuptimin më ruaj nga goditja e ndonjë sëmundjeje dhe gjërave të ngjashme. Ngase, goditja me gjëra të këtilla do të ma pamundësonte agjërimin e tij. Pastaj, fjalia “bëma të mundshëm Ramazanin” ka kuptimin mundësoma qartazi ta agjëroj, duke mos e ngatërruar hënën e re të Ramazanit apo hënën e re të Bajramit.

 

Në fund s’më mbetet gjë tjetër për të thënë, vetëm se: O Allahu im! Më ruaj për Ramazan dhe ma bënëtë mundshëm Ramazanin si dhe merre atë nga unë të pranuar!

 

 

Literatura:

1. Imam Ebu’l-Kasim Taberani. “El-Dua”. Bejrut: Daru’l-kutubi’l-ilmijeh, 1992.

2. Imam Abdulgani El-Makdisi. “Ehbaru’s-salat”. Damask: Daru’s-senabil, 1995.

3. Imam El-Muteki El-Hindi. “Kenzu’l-umal”. Bejrut: Bejtu’l-efkari’d-devlijeh, 2005.

4. Imam Ebu Nuajm El-Isfahaniu. “Hijletu’l-eulija ve tabekatu’l-esfija”. Kajro: Daru’s-seadeh, 1974.

5. Imam Mexhdudin Ibën El-Ethiri. “El-Nihajeh fi garibi’l-hadithi ve’l-ether”. Bejrut: Daru’l-mearifeh, 2006.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.