Home \ ZGJODHËM PËR JU \ Një lutje për të ardhmen!

Një lutje për të ardhmen!

Përtej dritares së heshtur ku kryqëzohen qindra degë gjysmë të thara vjeshte, endet muzgu. Në gurët e tespiheve rrëshqet edhe një ditë, si tash sa mot, në këtë ikje të përgjithmonshme harrimi. Një pezëm mallëngjimi i kaploi ata shpirtra që nuk patën tjetër vetëm përkujtimin ndaj dhimbjes. Nata nuk i harroi gjurmët e veta në po aq rrudha kohe që mbetën të pashlyera si vula në ballin e saj. Edhe këtë mbrëmje në atë shpirt pafaj të dehur në mallëngjim, nuk mungojnë thirrjet si prej pusi të thellë “Allah Ekber”, si për të thënë se vitet e ikura pa kthim gjen shpagim tek përkujtimi i më të Madhit!

Një ndjenjë nostalgjie e kaplon teksa nata duket pa fund e krye: ah sikur edhe një herë t’ia nisja kësaj rruge për ta ndërtuar ndryshe jetën! Më pas, kjo dëshirë e kamotshme njerëzore i zhduket ngadalë si një plugim nëpër retë e kohës. “Ky ishte fati jonë”, sikur dëshiron ta thotë pa zë, por me një ndjenjë mërzie për ta shpërndarë edhe tek të tjerët. Gati treçerek shekulli të ikur, thuajse i kanë shuar të gjitha ëndrrat, dhe vetëm një pasthirrmë: “bijtë të mbeten pas”, janë më shumë se shpresë për pas ikjen nga bota.

Si çdo mëngjes, dera çelet me “bismilah” dhe thirrja e mëvetme drejtohet nga qielli në një marrëdhënie që anon nga mistikja, e sigurisht më shumë se sa njerëzore. Pa shumë formalizma, e pa krenari, krejt nënshtrim, pa kundërshti për Zotin, është njëjësuar në shpirtin e saj, pa menduar ndryshe. Një jetë e tërë ka rrjedhur kështu, dhe netët me buzagaz lutjeje dhe ditë agjërimi kaluan të heshtura edhe në atëbotë ku besimi në Zot ishte krim.

Përtej realiteteve shoqërore dhe lëvizjeve të herëpashershme të shoqërive njerëzore, disa shpirtra, heronj të heshtur jetuan krejt larg botës e njëkohësisht m’u në mes të saj, si për të dëshmuar se marrëdhënia me Zotin nuk është aq një “dukuri sociale”, se sa një lidhje e harmonizuar me shpirtin, me ndjesitë e brenda zemrës. Kjo ndjesi gjendet përtej kohës, ndërsa në kohë ndodhin ngjarjet e përditshme, realitetet ndryshuese. Sa shumë vite shkuan? Askush nuk i beson se si rrodhën me atë rrëmujë ngjarjesh historie, por gjithsesi muri i vjetër i krijuar tek një shpresë e përhershme mbi historinë, mbeti i pandryshuar.

Përralla të hedhura dhe të tretura përdhe i konsideroi ato ditë të “lavdishme” të pushtetit të proletarëve, ku shteti ishte njëkohësisht edhe familja. Përralla më të sofistikuara i cilësoi ato ditë demokracie, ku shteti do të sillte përgjithnjë mirëqenie. “Fati jonë është i lidhur me Zotin dhe Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë”, thotë pa shumë filozofi, njashtu si një mësim i çiltër jete.

Frika nga vetmia

Në atë fytyrë të bardhë ku mëkatet duket se i kanë lënë pak gjurmë (ose kanë qenë kaq të pakta) kur i përmend azilin vëren menjëherë mjegullën e trishtimit. Në këtë botë ku rolin e familjes gjithnjë e më shumë po e marrin institucionet, për të, kjo nuk është tjetër vetëm se një mallkim i të larguarve nga rruga e Zotit. Një jetë atje, është baras me skëterrë, vetmi pak më e madhe se sa vdekja. Nuk do e dëshironte kurrë atë jetë që do të ndrydhte ndër ditë, copëza të thyera emocionesh.

Loti i saj është më i rëndë se dheu i të vdekurve. Pikërisht për këtë, meriton më shumë dashuri. Vetëm kaq! E mbetur duarkryq, pa asnjë kërkesë, pa asnjë kusht, thjesht dëshiron që këto ditë të mbetura të përkëdhelen me lojëra fjalësh fëminore. “Jeta është e juaja bijtë e mi, unë jam e përkohshme”, thotë herë pas here, sikur dëshiron të na kujtojë se për të, respekti është më i vlefshëm se margaritarët dhe dashuria, më e vlefshme se pasuria. Nëse ndonjëherë bëzan duke ia kujtuar se të gjithë ne jemi të përkohshëm, përgjigjet po aq lehtësisht sa edhe fryma që merr nga ajri: unë e kam mbaruar atë çka më është caktuar si detyrim nga Zoti! Me këtë, sikur dëshmon se ka mbetur përtej të së dobishmes. Në këtë botë konsumi ku më shumë krijohen mbeturina se sa blihen mallra, çdo marrëdhënie shikohet në trajtë dobishmërie. Kjo e tremb më së shumti nënën time, të moshuarën që u trazua për mua më shumë se gjithkush tjetër në këtë botë, edhe atëherë kur u vonova darkave thjesht për argëtim.

Lutja e fundit

Kur një ditë thjesht nuk do të jesh më në botë, nuk është çështje dosido për ata që mendojnë thellë. Sa më shumë ikën nga dita kur erdhe, aq më shumë një ndjenjë boshësie krijohet brenda shpirtit, për t’u mbushur herë pas here me frikën ditën e fundit, ndarjen e madhe. Nëna ime ka vetëm një lutje: “O Allah, na e bëj të lehtë atë ditë dhe me vetëdije!” Për pjesën e parë, çështja i përket Zotit, ndërsa për pjesën e dytë, ikja nga bota me vetëdije është më shumë se sa një bekim për tek rruga e re që sapo nis. Sepse vetëm i vetëdijshëm mund të jesh në gjendje të shkosh drejt lartësimit të shpirtit! /unejammusliman.pw