Home Uncategorized PARAJSA E AGJËRIMIT

PARAJSA E AGJËRIMIT

Kur shija e besimit e ëmbëlson zemrën, gjuha etet për fjalët që e nxisin heshtjen. Etja duke notuar në shpirtin e njomë të të eturit e fut freskinë në veten e tij për të bërë mirë. E nxit t’i qaset rrugës, ferrat e së cilës e shfaqin aromën në nuhatjen e udhëtarit. E bëjnë të lehtë në fjalë përkundër këshillave të rënda që i bart në zemrën e vet. Lutja mori kuptim kur mendja e thuri dëshirën e zemrës përmes gjuhës së shpirtit. Ndërsa nëpërmjet adhurimit, jeta arriti ta shijojë dashurinë e vërtetë duke u çliruar nga prangat e mëkatit. Ajo fjalë që agjërimin e obligoi për robin e Tij ishte që atë ta fus në kopshtin e parajsës për ta shijuar jetën e përjetësisë. Ta fus në botën e adhurimit që me syrin e zemrës dhe me shijen e shpirtit të ushqehet nëpërmjet agjërimit. Ta lë të etur që t’ia kuptojë shijen ujit dhe ta privojë nga e lejuara duke e ndaluar t’i afrohet. T’ia ndalojë të lejuarën dhe të lejuarën t’ia kufizojë në jetën e tij. Rruga e cila u nis me qëllim të pastër, edhe errësirën e bëri dritë në synimin tënd. Edhe hurma që e ëmbëlson gojën në të bërit e iftarit, njashtu edhe shuarja e etjes së tjetrit bën që ta shijosh ndjenjën e gëzimit. Iftari, ky ezani i ëmbël i myezinit i shfaqur në sofrën e agjëruesit nëpërmjet shqiptimit të lutjeve nga i përuluri. Zemra duke e kërkuar ujin në tokë, e harron që ujin e mban me vete vetëm nëse e kthen shikimin drejt qiellit. Përulja në tokë e dëshiron afrimin me qiellin dhe gjithnjë kur duart ngriten, shpresat vijnë. Vijnë nëpërmjet ushqimit të shpirtit që mbushet nga uji i syrit i mbështjellë me devotshmërinë e zemrës. Duke e shprehur nevojën për ushqimin e qiellit, në rrugën në tokë edhe pse të shtruar me lule ndodhen edhe gjembat që shpojnë gjatë të ecurit. Aq sa ujitet ushqimi i shpirtit, qetësia shtohet më tepër, por edhe sprovat lulëzojnë më shumë. Rruga e cila të thërret ta shuash etjen nëpërmjet agjërimit të mundëson që dhimbjen ta zbusësh nëpërmjet buzëqeshjes. Të bën që rrugëdaljen ta kërkosh edhe në derën e mbyllur duke u përpjekur ta gjesh çelësin e saj. Dhembshuria që lind në zemrën e qetë e shqetëson atë nga privimi i tjetrit për ta ndier botën e vërtetë në jetën e tij. Nëse në zemër e gjen burimin e qetësisë, lutja bëhet shoqëruesi yt i përditshmërisë. Nëse shiu e ujit lulen e mbjell nga dora jote, bën që erën e saj ta nuhasin edhe të tjerët. Në sofrën e iftarit, nuk ngopet syri duke e shikuar ushqimin, por ushqehet shpirti duke i shpeshtuar lutjet. Freskohet mendimi yt për t’i hapur dyert e dynjasë e cila të vetëdijëson ta kuptosh se lëmosha, përveç që e shton pasurinë tënde, e gëzon edhe veten me veprën e bërë. Gëzimi i agjëruesit në këto çaste vjen nga dera e parajsës e cila është hapur dhe e pret ardhjen e tij. E pret ta falënderojë Atë që ia mundësoi mirënjohjen për dhuntinë që ka para se të fillojë ta shijojë ushqimin që ka para vetes. Drita vetëm kur doli nga errësira dëshmoi mbi ekzistencën e saj. Edhe syri vetëm kur shikoi mbi ushqimin e zemrës e dëshmoi sinqeritetin e tij dhe nuk u pendua kurrë. Kurrë shpirti nuk u ngop prej adhurimit, ndërsa etja vetëm prej adhurimit e kërkoi shuarjen e saj. Pasi etja u bë e vetëdijshme mbi gjendjen e vet vetëm kur uji i doli përpara. Vetëm kur loti që pikoi në etje, arriti që në fshirje t’i shikojë gjurmët. Agjërimi, adhurimi i cili pas iftarit të bën ta harrosh etjen e ditës dhe të mundëson ta shijosh sevapin që mbeti me ty. Kur lutjet e zemrës dolën përmes syrit duke përfunduar në tokë nëpërmjet sexhdesë trokitën në dyert e qiellit. Te dera e parajsës është synimi ynë, por mbesim në tokë duke e ngrënë hurmën dhe duke menduar mbi qëllimin e ardhjes.

Blerim Muhaxheri