Home \ Ahlak \ PASHA ALLAHUN, SI MË KE HARRUAR?!

PASHA ALLAHUN, SI MË KE HARRUAR?!

Isha duke ecur rrugës dhe papritmas m’u paraqit një njeri, filloi të më përqafojë e të më puthë dhe më tha: “A nuk të rikujtohem?! Unë jam filani, shoku i shkollës, ishim bashkë me një klasë.”

Me të vërtetë nuk e rikujtoja! Shikimin e drejtova kah ai, e shikoja në sy, e ai bërtiste dhe më thoshte: “A nuk të kujtohem?!”

Unë me të vërtetë nuk e rikujtoja!

U ul në tokë dhe filloi të qajë dhe të më thotë: “Si më ke harruar? Pasha Allahun, më mbyte! Si më ke harruar?!”

I thashë: “Pasha Allahun, kërkoj ndjesë, mirëpo nuk më kujtohesh, ndoshta për shkak preokupimeve të shumta.”

U ktheva në shtëpi, mirëpo, kjo situatë tepër e çuditshme ma preokupoi mendjen.

Ajo që më tepër më preokupoi nuk ishte personaliteti i këtij njeriu, se a ishte shoku i klasës apo jo, por më shumë më preokupoi gjendja e tij kur e ndjeu se si një njeri i dashur, i shtrenjtë tek ai dhe që e donte, vetëm se e ka harruar.

Mendova dhe thashë në vete: A mundet Allahu që të më harrojë?! Si do të jetë gjendja ime nëse Allahu më harron? A do të jem sikurse ky njeri apo gjendja ime do të jetë edhe më e rëndë?

Mirëpo, Allahu a e harron dikë?

Përgjigjja, për fat të keq, është “po”! Allahu ka mundësi që ta harrojë robin e vet.

Allahu në tre ajete tha:

1. “Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata.” (Et-Teube: 67)

2. “Pastaj do t’u thuhet: “Ne sot po ju braktisim në harresë, ashtu siç e keni harruar ju takimin e kësaj dite. Vendqëndrimi juaj është Zjarri dhe për ju nuk ka kurrfarë ndihmësi.” (El-Xhathije: 34)

3. “(Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Ta Ha: 126)

Këtë ngjarje na e rrëfen dijetari i nderuar, Muhamed Husejn Jakubi, Allahu e ruajttë!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU