Home \ Ahlak \ “PRANDAJ, MË KUJTONI MUA (ME NAMAZ E LUTJE) QË UNË T’JU KUJTOJ (ME SHPËRBLIME)”

“PRANDAJ, MË KUJTONI MUA (ME NAMAZ E LUTJE) QË UNË T’JU KUJTOJ (ME SHPËRBLIME)”

Më e vlefshme dhe më e madhe nga e tëra ajo që u përmend deri më tani është në fjalët e Allahut: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (El-Bekare: 152)

Allahu i urdhëroi besimtarët që ta përmendin Atë, ndërsa përmendësve u premtoi shpërblimin më të mirë, përmendjen e tyre para krijesave të qiejve. E, a ka nder dhe krenari më të madhe se Allahu të të përmendë dhe të të kujtojë?!

Me një hadith kudsij (të shenjtë), të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, prej Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili përcjell se Allahu thotë: “Unë jam te mendimi i robit Tim dhe Unë jam me të nëse ai më përmend. Nëse robi Im më përmend në veten e tij, Unë e kujtoj atë në Veten Time e, nëse më përmend në ndonjë grup, Unë e kujtoj atë para një grupi më të mirë se i tyre. Nëse ai më afrohet sa një pëllëmbë, Unë do t’i afrohem atij sa një krah e, nëse ai më afrohet sa një krah, Unë do t’i afrohem atij sa një pash e, nëse ai më afrohet duke ecur, Unë do t’i afrohem atij duke nxituar.”[1]

Sikur dhikri ta kishte veç këtë vlerë, do t’i mjaftonte si meritë dhe vlerë.

Këtu nuk bëhet fjalë që i varfri ta përmendë të Pasurin, e as i dobëti të Fortin, por që ta përmendë i Pasuri të varfrin dhe i Forti të dobëtin.

E, kur ta përmendë Zoti, i Pasuri dhe Bujari, robin e dobët, përmendja bëhet simbol i mirësisë dhe i nderimit të Allahut për të. E, çfarë ta merr mendja ty, si do të jetë çështja kur Allahu, Bujari dhe Fisniku ta përmendë robin përmendës dhe të jetë i kënaqur me të?

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E pyeta Ibn Tejmijen, Allahu e mëshiroftë, një ditë dhe i thashë: Nëse Allahu kënaqet me robin kur i nënshtrohet, gëzohet kur pendohet dhe zemërohet kur e kundërshton, parashtrohet pyetja se a lejohet që krijesa (njeriu) të ndikojë tek Allahu?

Më tha: ‘Allahu është Ai që i krijoi shkaqet e kënaqësisë, zemërimit dhe gëzimit, të gjitha këto ndodhin me vullnetin dhe krijimin e Tij. Ky ndikim nuk ka qenë prej dikujt tjetër, pos prej Vetes për Veten. E pamundur është që të ndikojë krijesa te Krijuesi, kjo nuk mund të ndodhë. Allahu ka krijuar sebepe që i ka dashur Vetë, me caktimin dhe me urtësinë e Vet, që çojnë në kënaqësinë, dashurinë, gëzimin dhe zemërimin e Tij. Pra, Allahu ndikohet prej sebepeve që Vetë ka dashur të ndikohet. Kjo nuk është e pamundur, kjo mundet, sepse çdo gjë prej Tij ka filluar dhe tek Ai kthehet’.”[2]

[1] Buhariu (7405), Muslimi (2675).

[2] Medarixh es-Salikin (2/405).

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Pjesë nga libri i përkthyer në shqip: “Domethëniet dhe kuptimet e dhikrit”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU