Home \ ZGJODHËM PËR JU \ PRINCIPET E IBADETIT

PRINCIPET E IBADETIT

Ndjekja e sunetit nuk mund të zbatohet nëse veprat nuk përputhen me sheriatin në gjashtë pika dhe ato janë:

E para: vepra duhet të përputhet me sheriatin në shkak;

kjo i pret udhën çdokujt që të bëjë një ibadet për një shkak që Allahu nuk e ka bërë shkak, si për shembull: dikush fal dy rekate namaz sa herë që hyn në shtëpinë e tij, duke e parë si sunnet. Kjo hidhet poshtë, pavarësisht se namazi ka bazë në sheriat; arsyeja përse hidhet poshtë qëndron në faktin se vepra lidhet pas një shkaku që nuk pranohet si i tillë nga sheriati. Një shembull tjetër: nëse dikush sajon një festë për të kremtuar fitoren e myslimanëve në Bedër, hidhet poshtë, sepse lidhet pas një shkaku që nuk pranohet si i tillë nga sheriati.

E dyta: vepra duhet të përputhet me sheriatin në lloj.

Nëse dikush e adhuron Allahun me një lloj adhurimi që nuk parashikohet nga sheriati, vepra e tij nuk pranohet. Shembulli për këtë: nëse dikush bën kurban një kalë, vepra e tij hidhet poshtë, nuk pranohet, sepse bie ndesh me sheriatin në llojin e veprës; kafshët që theren si kurbani janë deveja, lopa dhe delja. Sakaq, nëse kali theret dhe mishi i tij shpërndahet më pas si lëmoshë për të varfërit, kjo është e lejuar.

E treta: vepra lipset të përputhet me sheriatin në sasi:

nëse dikush bën një adhurim në sasi të shtuar nga ajo që është caktuar në sheriat, nuk pranohet. Shembull për këtë: një njeri merr abdes, duke larë çdo pjesë të abdesit nga katër herë. E katërta herë nuk pranohet, sepse është e shtuar në krahasim me atë që është në sheriat, madje, në një hadith është përmendur se Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, ka marrë abdes duke larë pjesët e abdesit nga tre herë dhe ka thënë: “kush e shton më tepër se kjo, ka bërë gjynah, i ka kaluar kufijtë dhe ka bërë padrejtësi.”

E katërta: vepra lipset të përputhet me sheriatin në mënyrën.

Dikush mund të kryejë një vepër të mirë, adhuron Allahun, porse ai bie ndesh me sheriatin përsa i përket mënyrës së kryerjes së këtij adhurimi, në këtë rast nuk pranohet. Shembull për këtë: dikush falet dhe, para se të bjerë në ruku, ai bie në sexhde, në këtë rast namazi i tij është i kotë, i papranueshëm, sepse nuk është në përputhje me sheriatin përsa i përket mënyrës së kryerjes. Shembull tjetër: dikush mund të marrë abdes, duke filluar me pjesën e fundit të abdesit, d.m.th., fillon me larjen e këmbëve, pastaj kokën, pastaj krahët, pastaj fytyrën, në këtë rast abdesi i tij është i kotë, sepse bie ndesh me sheriatin përsa i përket mënyrës së kryerjes së këtij adhurimi.

E pesta: vepra lipset të përputhet me sheriatin në kohë.

Nëse dikush fal namazin përpara se të hyjë koha e tij, namazi i tij nuk pranohet, sepse është kryer në një kohë që s’e ka caktuar sheriati. Po ashtu, nëse dikush e ther kurbanin përpara se të falë namazin e Bajramit, kurbani i tij nuk pranohet, sepse nuk është në përputhje me sheriatin përsa i përket kohës. Nëse dikush hyn në i’tikaf jashtë kohës së tij, kjo nuk është e ligjësuar, porse lejohet, sepse Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, e lejoi Omer ibën Hattabin, radijAllahu anhu, që të bëjë i’tikaf në Qabe, pasi ishte zotuar për një gjë të tillë.

E gjashta: vepra lipset të përputhet me sheriatin në vend.

Dikush mund të bëjë i’tikaf jashtë xhamive, për shembull, në shkollë apo në shtëpi, i’tikafi i tij nuk pranohet, sepse nuk përputhet me vendin e parashikuar nga sheriati, që është xhamia.
Kushtoji rëndësi këtyre gjashtë bazave dhe në çdo rast kthehu tek këto.

Muhamed b. Salih El-Uthejmin /albislam

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.