Home \ Ahlak \ RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

Ngjarjen në vijim na e rrëfen familja e një plake, e cila në atë kohë i kishte arritur të tetëdhjetat dhe jetonte në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Plaka një ditë nga ditët ulet me disa gra, mirëpo e vërejti se ato kohën po e kalojnë në muhabete e thashetheme, në përgojim e bartje të fjalëve, filania e gjatë e tjetra e shkurtër, njëra e bukur e tjera e shëmtuar, njëra e martuar e tjetra e ndarë etj. Plaka e vërejti se aty s’ka fare dobi dhe u largua në shtëpinë e saj për ta përmendur Allahun, ashtu siç edhe vepronte gjithmonë.

E mori sixhadenë dhe filloi të falë namaz nate, ashtu siç e kishte traditë edhe netëve tjera, mirëpo kjo natë do të dallohet nga ato tjerat me diçka. Duke u falur plaka nxjerrë një zë dhe kjo ia tërhoqi vëmendjen birit të saj, të cilin e kishte të vetëm dhe e respektonte nënën shumë. I biri hyri në dhomë dhe e pa nënën se kishte ra në sexhde dhe kishte mbetur në atë gjendje. Plaka e thirri duke i thënë:

– O biri im, në këtë moment nuk më lëviz nga trupi asgjë, përveç gjuhës.

I biri i tha:

– Nëna ime, do të dërgoj shpejt në spital.

Plaka ia kthehu:

– Jo, o biri im, më lër këtu.

– Jo, pasha Allahun, do të shkojmë në spital, – i tha djali.

Mjekët mblidhen shpejt të shohin se çfarë të bëjnë, mirëpo e shohin se janë të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë. Plaka i drejtohet të birit dhe i thotë:

– O biri im, për hir të Allahut, të lutem më dërgo në shtëpi dhe te sixhadeja ime.

Kthehet plaka në shtëpi, i biri i jep abdes dhe e vendos mbi sixhadenë e saj, dhe në atë gjendje që ishte fillon të falet.

I biri vazhdon me rrëfimin.

Pas një kohe të shkurtër, para sabahut, nëna ime më thirri dhe më tha: “O biri im, të lë në mbrojtje të Allahut, i cili i mbron robërit e Tij dhe nuk i humb” dhe tha: “Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah.” Pastaj i mori frymëmarrjet e fundit dhe ndërroi jetë.

Nuk i mbeti të birit tjetër, përveç se t’ia lajë xhenazen, ta qefinosin, ta bartin për t’ia falur namazin, e pastaj ta dërgojnë deri te varrezat dhe t’ia zgjerojnë varrin më shumë që ta varrosin duke qenë në atë gjendje – në sexhde.

Njeriu sikur vdes, ashtu do të ringjallet në Ditën e Kiametit para Allahut, e kjo plakë vdiq në sexhde dhe në sexhde do të ringjallet para Allahut, Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU